“Atentatorët e drejtësisë”, Ngjela: Meta e pranoi, Rama nuk del dot kundër SHBA

Pasuria e paligjshme e zyrtarëve të lartë, këta të fundit i ka hedhur në sulm ndaj drejtësisë. I këtij mendimi është avokati Spartak Ngjela, i cili në një intervistë për A2CNN komenton deklaratat e ambasadores amerikane.

Por kush janë sipas tij atentatorët që duan të vrasin drejtësinë e re? Për Ngjelën “janë të gjithë ata që pritet të akuzohen, që kanë prona të paligjshme, që i kanë vendosur duke qenë kryeministra ose ministra. Të tërë këta që janë hedhur në sulm, janë të akuzuar. Prezumohet, që të paktën të vërtetojnë se kush është burimi financiar”.

E meqenëse bashkë me teatrin, duket se i kanë rëne maskat edhe politikës, Ngjela mendon se Presidenti i Republikës i ka ngritur vetes një ‘auto-grackë’ me deklarimet përballë gazetarëve.

 “Me anë të asaj konference, Meta provoi dyshimin e ambasadores amerikane. Konferenca ishte alibi që nuk jam unë, por në fakt provoi që është ai. Por ka një gjë, ai ka nxjerrë një artificë, që të zhbëje çfarë është arritur deri më tani me reformën në drejtësi” deklaron ai për A2 CNN.

Për Ngjelën nuk ka asnjë bazë kërkesa e Metës për të ndryshuar ligjet dhe Kushtetutën me mekanizma të palegjitimuar, siç është sipas tij kërkesa për ngritje të një Këshilli Politik për Reformën në Drejtësi. “Nuk mund të preket Kushtetuta me institute ekstraligjore. Është pamundësi absolute, është grusht shteti”, thotë avokati.

Por tango kërcehet dyshe. Kësisoj, edhe marrëveshja e fshehtë për të cilën flet Kim, do të kishte edhe një palë tjetër përballë.

Sipas Ngjelës, “për t’i bërë atentat reformës në drejtësi, duhet të jetë Rama patjetër. Por ai nuk mund të jetë, sepse mazhoranca nuk mund të dalë kundër politikës amerikane.”

Parashikimi më i nxehtë i Ngjelës përkon edhe me pikun e verës, kur thotë se në grepin e SPAK, pritet të mbesin peshq të mëdhenj mes radhëve të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve. “Deri në korrik do të shohim ngjarje shumë të mëdha. Këtë dinë këta që janë hedhur në sulm. Nuk mund të bëjë SPAK hetime për qeverinë Berisha, pa bërë hetime për zyrtarët e qeverisë Rama”, thotë avokati.

Hetime këto, shton Ngjela, që nuk mjaftohen vetëm me denoncimet e politikës, por me informacione të sigurta konfidenciale të superfuqisë amerikane.