BE prezanton rregullat e reja për udhëtimet ajrore pas koronavirusit

rregullat e avioacionit 1100x620

Personat që do t’iu duhet të udhëtojnë me avion në të ardhmen, tashmë duhet të ndjekin disa rregulla të reja për të ulur rrezikun e përhapjes së koronavirusit sipas udhëzuesit që iu është dërguar aeroporteve dhe linjave ajrore nga agjencia e BE-së për sigurinë ajrore.

Mes rregullave të reja parashikohet që pasagjerët të mbajnë maska përgjatë gjithë udhëtimit, të përshëndesin të afërmit jashtë terminaleve dhe ngritjen e spoteve të intervistimit për personat që shfaqin simptoma të Covid-19. Gjithashtu do të ndalohet shitja e produkteve të duty-free në terminale dhe udhëtime.

Rregullat janë në një dokument 28-faqësh të Agjencisë së Bashkimit Europian për Sigurinë Ajrore dhe janë publikuar në faqen e saj online.

Tashmë mënyra e udhëtimit ajror do të ndryshojë drastikisht dhe pritet të adoptohet nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Ndryshimet janë konsultuar me kompanitë ajrore, të cilat i kanë cilësuar ato si një hap pozitiv në lejimin e udhëtimeve ndërkombëtare dhe turizmin e këtij viti.

“Siguria e pasagjerëve dhe stafit kanë qenë gjithmonë të një rëndësie parësore në aviacion”, deklaroi Komisioneri Europian për Transportin, Adina Valean.