Deklarata e Yuri Kim, Krasniqi: Ishte e pritshme, Reforma në Drejtësi kishte humbur prioritetin

krasniqi 1100x620

Afrim Krasniqi, analist i A2, deklaroi në “Ditari” se deklarata e ambasadores amerikane Yuri Kim mbi një “marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi” ishte e pritshme, pasi, sipas tij, “muajt e fundit Reforma në Drejtësi e kishte humbur prioritetin kryesor”.

“Është e qartë që kemi pasur një vullnet të dukshëm të liderëve kryesorë politikë, sidomos të mazhorancës dhe Presidencës, për të përdorur të gjithë mekanizmat në dispozicion për të penguar deri diku Reformën në Drejtësi, pasi opozita nuk ka instrument për ta bërë këtë gjë aktualisht. Nuk kemi në Shqipëri një forcë politike që e përkrah tërësisht këtë reformë, siç e kanë krijuar para 3 vitesh SHBA dhe BE. Marrëveshjet në Shqipëri nuk bëhen asnjëherë me letër, por të kujtojmë se përpara disa kohësh u miratuan ndryshimet në Kodin Penal me kompromis, me praktikë antikushtetuese dhe të gjithë u habitën se si u arrit kompromisi mes qeverisë, Presidencës dhe opozitës së heshtur”, tha Krasniqi.

“Individët më të pushtetshëm në vend, por edhe më të pasurit, për shkak të pasurisë që buron nga funksioni zyrtar dhe jo nga biznesi personal, janë liderët kryesorë të Shqipërisë. Këta janë përgjegjësit kryesorë që gjërat po shkojnë keq në Shqipëri. Duhet pyetur ambasadorja se për kë e kishte deklaratën e saj, por unë besoj se janë këta, pavarësisht se nga ana tjetër janë partnerët kryesorë të faktorit ndërkombëtar. Edhe nesër, nëse ndërkombëtarët duan marrëveshje, prapë me këta do e arrijnë”, shtoi Krasniqi.

Më tej, Krasniqi theksoi se “në agjendën e lidërëve tanë politikë nuk janë prioritetet që ka shoqëria shqiptare dhe që duhet të ketë Shqipëria nëse kërkon t’i bashkohet integrimit”.

“Këto janë Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe kriteret e BE-së për anëtarësim. Fakti që kriteret janë shtuar, do të thotë se gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe përgjegjësia duhet të kërkohet nga personi që ka pushtetin më të madh në Shqipëri, që është kryeministri. Por, përgjegjës nuk janë vetëm liderët politikë, por edhe strukturat e drejtësisë. Kur kemi zgjedhur KLGJ dhe KLP kemi menduar se do t’i dalin për zot punës që kanë marrë përsipër. Është absurde që shohim vonesa në veprimet e tyre, nuk shohim lidership dhe strategji. Gjithashtu, struktura e drejtësisë duhej të plotësohej që të krijohet edhe besimi publik që në Shqipëri po bëhet revolucion përsa i përket drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.