Kukësi pas izolimit, tregtarët: Nuk ka blerës, e vështirë të mbijetojmë

Me përfshirjen në hartën e zonave të gjelbra nga COVID-19, aktivitetet tregtare në Kukës, janë të hapura. I hapur është edhe tregu i vetëm industrial që ka qyteti me rreth 60 tregtarë.

Por që prej 18 majit, kur tregu u hap për herë të parë pas dy muajve kufizime të pandemisë, blerësit janë të paktë. Këtë fakt e pranojnë vetë tregtarët e këtij tregu, të cilët janë të vetmit njerëz që popullojnë tregun. Ata ankohen se kanë shumë pak shitje dhe nëse situata nuk ndryshon ata rrezikojnë falimentin. 

Blerës të paktë ka edhe në tregun agro-ushqimor ndonëse nuk ka rritje të çmimeve. Sipas tregtarëve shkaqet kryesore të kësaj situate janë varfëria dhe pamundësia e personave që jetojnë në fshatra për të ardhur në qytet.