Opozita kthehet te Zgjedhorja, Basha: Nuk ulemi në tryezën e propozuar nga Meta

Opozita e bashkuar vendosi të rikthehet në tryezën e Reformës Zgjedhore, pasi, sipas Lulzim Bashës, kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i pritet rruga skenarit për bllokimin e saj nga mazhoranca.

“Kemi vendosur që t’ia mohojmë Edi Ramës këtë plan dinak dhe t’i ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të Reformës Zgjedhore”, tha Basha.

Por, kryedemokrati nuk kishte vetëm lajme të mira. Refuzimin e parë e kishte për amerikanët, duke mos pranuar zbatimin e sistemit të Danimarkës në zgjedhjet shqiptare: “Nuk ka një propozim të tillë amerikan, por ka një vullnet timin personal për t’i dhënë shqiptarëve cilindo sistem që ta gjykojnë më të mirin dhe më të përshtatshmin. Por, nuk shoh vullnet nga Edi Rama për të ndryshuar sistemin, ndaj le ta largojmë me votë dhe pastaj të zgjedhim së bashku sistemin më demokratik”.

Refuzimin e dytë, për Ilir Metën dhe idenë e tij të një Këshilli Politik mbi ndreqjen e Reformës në Drejtësi: “Opozita po e bën detyrën e saj në raport me 15 kushtet për integrimin. Kjo është detyra e opozitës”.

Kësisoj, përgjigje negative merr edhe kryeministri Edi Rama, i cili ishte shprehur i gatshëm për një dialog të nivelit të lartë politik me Presidentin dhe kreun e opozitës.