Presidenti Meta: Opozita të mos largohet nga tryeza për reformën zgjedhore, kusht kryesor

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se opozita jashtëparlamentare nuk duhet të bjerë pre e provokimeve dhe të largohet nga tryeza për reformën zgjedhore.

Sipas tij, kjo reformë është shumë e rëndësishme edhe pse zbatimi i Kodit me këtë polici të dhunshme do të jetë shumë i vështirë.

“I kam kërkuar opozitës të mos bjerë pre e provokimeve dhe të mos largohen nga tryeza për reformën zgjedhore. Kjo reformë të përfundojë sa më shpejt pasi Kodi është kërkesa e parë. Pavarësisht se me atë polici të dhunshme e vështirë është që të zbatohet Kodi që është një kusht i Bashkimit Europian”, tha Meta.

Me tej, Kreu i Shtetit shtoi se të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja kërkojnë përfshirjen e opozitës reale.

“Të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje nga BE-ja kërkojnë opozitën reale. Të gjendet një mekanizëm për përfshirën e saj. Kemi një problem me legjitimitetin e sistemit demokratik në vend. Kërkohet vendosja e legjitimitetit. Kam 4 vjet që them stop lojërave me reformën në drejtësi dhe ambasadorja ka të drejtë.

Shikoni sa kushte janë shtuar nga viti 2016 deri tani. Aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje. Presidenti nuk ka luajtur  pasi nuk është aktor politik. Presidenti nuk ka surprizuar askënd pasi çdo gjë ka qenë e mirëdokumentuar. Për çdo akt kam kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve dhe kam njoftuar partnerët”, përfundoi Meta.