U dëmtua nga tërmeti, shembet me shpërthim të kontrolluar pallati 6-katësh

U shemb me anë të shpërthimit të kontrolluar një pallat 6-katësh në lagjen nr.7 në Durrës, i cili rezultoi i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit njoftoi se për shembjen e pallatit u hapën 350 furnella eksplozivi dhe u përdorën 8,5 kilogramë lëndë eksplozive C4.

Për shkak të afërsisë së pallatit me objektet e tjera të banimit, policia u sigurua për boshatisjen e ndërtesave përreth, dhe lënien e dritareve të tyre të hapura.