Vetting-u në polici/ Sokol Bizhga probleme në pasuri, por kalon testin

Vetting-u në polici, ndonëse në bazë të saj ka vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale, në mjaft raste nuk ndodh kështu. Kur Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit gjen parregullsi në radhët e krerëve të policisë, ndodh që edhe të kalosh klasën, ndryshe kur vetting-u bëhej në radhët e drejtësisë.

I fundit që kaloi testin ishte Sokol Bizhga, drejtues i forcave lëvizëse operacionale në Policinë e Shtetit. Seanca e parë pas pandemisë përfundoi me disa gjetje. Përsa i përket kriterit të pasurisë, Sokol Bizhga ka në pronësi 2 apartamente, një dyqan dhe një tokë në Gjirokastër me sipërfaqe 4 000 metra katrorë.

Për njërin prej tyre, i blerë në vitin 1997, sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, nuk ishte pasqyruar në deklaratën e vitit 2013, por në vitin 2018. Gjithashtu, një shtesë prej 18 metrash katrorë nuk është deklaruar asnjëherë. Sipas Bizhgës, kjo është një përgjegjësi e tij.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit gjeti dhe mospërputhje në shitjen e një apartamenti në Vlorë. Sipas tyre, te noteri kishte mospërputhje të shumës për vlerën e shitjes. Veç kësaj, Sokol Bizhga kishte probleme dhe në përfitimin e gradës kolonel. Sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, ajo është marrë jashtë radhe.

Por, edhe me këto gjetje, krerët e policisë vijojnë ta kalojnë vetting-un. Kriteret e përcaktuara në asnjë rast nuk parashikojnë marzh në mosjustifikimin e pasurisë, ndërsa parimi i ligjshmërisë dhe i të barabartëve para ligjit mbetet në dorë të trupave të vlerësimit.