Meta i kthen mazhorancës ligjin për portin e ri të Hidrokarbureve në Porto Romano

meta 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për portin e ri të hidrokarbureve në Porto Romano. Në arsyetimin prej 10 faqesh, Meta thekson se për ndryshimet e kontratës koncesionare që sjell ky ligj, jo vetëm që nuk jepen argumente sa u përket përfitimeve dhe interesave që ka shteti, por është cenuar gara e lirë dhe e ndershme, si dhe parimet bazë që duhet të udhëheqin një procedurë koncesioni.

Për këto arsye, thekson presidenti, ligji i miratuar në Parlament bie ndesh me parime të rëndësishme të mbrojtura nga Kushtetuta dhe per këtë duhet rishikuar nga deputetet. Gjatë diskutimeve në seancën plenare, drafti në fjalë u kritikua edhe nga disa socialistë si Ditmir Bushati dhe Ilir Beqja, të cilët nuk e votuan atë.

Vendimi i Presidentit Meta u përshëndet edhe nga Partia Demokratike e cila tha se do të anulojë ligjin kur te vijë në pushtet.

“Vendimi i presidentit është i drejtë dhe mbron interesin publik duke mos lejuar grabitjen dhe faljen e pasurive të vendit pa garë dhe në kundërshtim me ligjin te një grusht klientësh të hajdutit ordiner Edi Rama. Ky vendimi korruptiv dhe i paligjshëm që u mor në mes të krizës ekonomike kur mbi 100 mijë vende pune u mbyllën dhe mijëra familje e biznese u braktisën dhe u lanë në mjerim, është një akt tradhtie kombëtare nga Edi Rama, hajduti i babëzitur dhe armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Parlamenti dhe qeveria e re e dalë nga votat e shqiptarëve do ta anulojë këtë vendim të paligjshëm dhe do t’i vendosë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë, thuhet në një deklaratë të PD.