Reforma Zgjedhore, Këshilli Politik lë takim për të martën

Këshilli Politik do të rinisë takimet, duke filluar nga e marta, në orën 11:00. Kështu duket se është rënë dakord mes palëve. Përfaqësuesit e opozitës në Grupin Politik për Reformën Zgjedhore propozuan fillimisht të hënën si ditën e mbledhjes së këtij grupi me synimin e përmbylljes sa më shpejt të reformës.

Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim i dërguan një letër përfaqësuesve parlamentarë në ketë grup, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe kanë vunë në dijeni për këtë qëndrim partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në proces, BE, SHBA, OSBE dhe KiE.

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qenë e pamundur përmbyllja e saj”, thuhet në letrën e opozitës, ku përmendet se për shkak të shkeljes së standardeve nga ana e mazhorancës për 3 procese zgjedhore me radhë, Reforma Zgjedhore është rikthyer si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me BE.

Duke vënë në dukje përgjegjësinë edhe përpjekjet e qeverisë për të dështuar procesin, përfaqësuesit e opozitës theksojnë në letër vullnetin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme: “Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë pasur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”.

Nga letra opozitës bie në sy se pavarësisht shumë takimeve mes palëve dhe shumë propozimeve, konsensusi është ende larg: “Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete”.

Pas përgjigjes së Partisë Socialiste se dita e hënë “i bie festë Bajrami e për rrjedhojë ditë pushimi, OSBE ka mundësuar rezervimin e sallës për takimin e grupit të punës për Reformën Zgjedhore në datë 26mMaj 2020, ora 11:00, tek Pallati Kongreseve”, duket se edhe opozita është dakordësuar për këtë datë dhe orë.