Trump mirëpret veteranët motoçiklistë, kërcen nën tingujt e “Sweet Child O’Mine”

Presidenti amerikan Donald Trump, mirëpriti në oborrin e Shtëpisë së Bardhë një grup motoçiklistësh të përbërë vetëm nga veteranë të ushtrisë amerikane, për të nisur kështu kremtimet për “Memorial Day”, ditën e kujtimit të të gjithë të rënëve në betejë.

Grupi i quajtur “Rolling to Remember”, çdo vit realizon një shëtitje në grup mbi motorë, për 22 milje, një distancë simbolike për shkak se në SHBA, çdo ditë, mesatarisht 22 veteranë të ushtrisë vrasin veten.

Këtë vit, parada do të zhvillohet virutalisht, për shkak të koronavirusit, dhe pjesëtarët e grupit të motoçiklistëve janë këshilluar ta realizojnë të vetëm në komunitetet e tyre.

Trump i përshëndeti ata nga ballkoni, ndërsa u pa edhe të kërcente nën tingujt e “Sweet Child O’Mine” nga Guns N’ Roses.

“Dëshmorët tanë dhanë jetën për të siguruar mbijetesën e lirisë amerikane”, tha Trump. “Emrat e tyre janë skalitur përgjithmonë në zemrat e popullit tonë dhe kujtesën e kombit tonë”.