Trupi i pajetë ngjitur me fushën e futbollit, tragjedia Covid-19 spostohet në Brazil

Një fotografi e Agjencisë Reuters, ku një trup i pajetë qëndron në rrugë ndërsa pranë tij të rinjtë luajnë futboll, është imazhi tragjik i pasojave të koronavirusit në Brazil.

Valnir da Silva humbi betejën me Covid-19 të shtunën e kaluar, në një prej lagjeve më të varfra të Rio de Zhaneiros. Trupi i tij i pajetë qëndroi aty, mbi trotuar, për 30 orë para se dikush ta merrte, thanë fqinjët.

62-vjeçari është një nga viktimat e panumëruara të pandemisë, pasi në zonat e margjinalizuara të Rios është e vështirë që të sëmurët të arrijnë në spital. Teksa pjesa më e madhe e Europës dhe Azisë duket se po e lënë pas shpine koronavirusin, Brazili po arrin pikun, me Amerikën e Jugut që po shndërrohet në epiqendër. Deri më tani, sipas Universitetit Johns Hopkins, mbi 330 mijë raste janë konfirmuar në vend, ndërsa numri i viktimave është 21 mijë.

Ricardo Moraes, fotoreporteri i Reuters që realizoi foton, tha se ambulanca nuk erdhi kurrë për të marrë viktimën. Por edhe pas mbërritjes së saj, mjekët e regjistruan vdekjen si arrest kardiak dhe nuk e morën trupin me vete. Djali i tij, Marcos, tha se njoftoi policinë, por as ata nuk pranuan të merrnin trupin e pajetë, pasi nuk kishte të bënte me një çështje kriminale. Pas 30 orësh, erdhi shërbimi funeral, që më në fund e mori, tregon Marcos.

Të varfrit në Brazil, fajësojnë të pasurit për futjen e koronavirusit në vend, pasi sipas tyre, ata u infektuan ndërsa bënin pushime luksoze nëpër anije turistike dhe e sollën me vete sëmundjen në shtëpi.