Verë në izolim, trefishohen kërkesat për pishina private

Ndërtimi i pishinave private në oborret e vilave luksoze në Rod Ajlënd dhe Konektikat ka pësuar një rritje të konsiderueshme, pasi pavarësisht ngritjes së temperaturave, nuk po lehtësohen edhe aq shumë masat për kufizimin e përhapjes së koronavirusit.

Gazeta amerikane “The New York Times” shkruan se pishina, që dikur shihej si një gjë luksi, tashmë po shndërrohet në një domosdoshmëri për njujorkezët e pasur, për shkak se me shumë gjasa, plazhet buzë Atlantikut do të qëndrojnë të mbyllura edhe për pak kohë.

Fillimisht ata u arratisën nga pandemia, duke zbritur në Florida dhe shtete të tjera më të ngrohta, ndërsa tani po modifikojnë vilat e tyre luksoze larg “Mollës së Madhe”, për të kaluar verën.

Pishinat private kanë një kosto ndërtimi prej 75 mijë dollarësh për përmasat minimale, 6×12 metra. Steve Reale, menaxheri i një kompanie ndërtimi pishinash, tha për “New York Times” se mesatarisht merr 30 porosi për pishina në një javë në këtë periudhë, më shumë se trefish nga mesatarja normale.