
Ndërmjetësuesi Kosovë-Serbi, Grenell planifikon të tërhiqet si ambasador në Gjermani
Richard Grenell, i cili është gjithashtu i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, po planifikon të tërhiqet nga posti i ambasadorit në Gjermani.
Fillimisht ky lajm është dhënë nga agjencia gjermane e lajmeve DPA, ndërsa është konfirmuar në Twitter edhe nga ambasadori Grenell.
“E vërtetë”, shkroi shkurt ai rreth lajmeve për largimin e tij nga posti në Berlin. Po sipas agjencisë gjermane DPA, ai do te zëvendësohet përkohësisht nga Robin Quinville, zëvendësshefe e misionit në ambasadë.
Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Senati amerikan konfirmoi në postin e drejtorit të përhershëm të Inteligjencës Kombëtare ligjvënësin John Ratcliffe, i cili zëvendësoi Grenell dhe është gjithashtu një aleat i fortë politik i presidentit Donald Trump.