
“Të rinisin menjëherë bisedimet Kosovë-Serbi, nën udhëheqjen e BE”
Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës bënë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Në një shkrim të përbashkët, të publikuar në faqen e ministrisë së Jashtme gjermane, ministrat Heiko Maas dhe Jean-Yves Le Drian, thanë se situata e pazgjidhur ndërmjet të dyja vendeve mbetet një faktor destabilizues për Ballkanin dhe sigurinë evropiane.
“Qëllimi i bisedimeve është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe ndihmon qëndrueshmërinë rajonale. Jemi të vetëdijshëm për çështjet e shumta të hapura që duhet të zgjidhen para se të arrihet një marrëveshje, por nuk ka një rrugë të shkurtër apo zgjidhje të shpejtë”.
Është ky qëndrimi i dy ministrave, të cilët mirëpresin bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë periudhës së koronavirusit ndërsa kërkuan zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve që nga viti 2011.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe për këtë po pret Bashkimin Evropian. Bisedimet me ndërmjetësinë e Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe.
Tashmë, këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës, por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillonin bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike dhe me qeveri në detyrë.