Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja, kalon mbi 1 mijë numri i të prekurve

tomini 2 1100x620

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë shënuar 6 raste të reja me koronavirus në Shqipëri.

Numri i të prekurve në total në vendin tonë i ka kaluar 1000 rastet.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Mbështetur në strategjinë e lehtësimit të masave mbi kriteret e rasteve të shtruara në spital, rasteve që kërkojnë trajtim në terapi intensive, rasteve të humbjeve të jetës, situata ka qenë e qëndrueshme, përkundrejt 14 ditëve të vlerësimit të saj.
Kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit.
Situata në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive.
Numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin sot ka kaluar mbi 1 mijë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 6 raste pozitivë. 4 raste janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit. 6 raste janë të shëruar në 24 orët e fundit.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienen vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19 si kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje. Nëse keni këto shenja telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (25 Maj 2020)
Testime totale 14659
Testime molekulare 13333
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1004
Raste të shëruara 795
Raste Aktive 177
Humbje jete 32 (Qarku Tiranë 19, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 59
Durrës 53
Krujë 27
Shkodër 12
Berat 10
Kamëz 9
Fier 4
Elbasan 1
Mirditë 1
Korçë 1.