Refuzon shkarkimin e këshilltarit që theu karantinën, stuhi kritikash kundër Johnson

Ndërsa bëhet gati të lehtësojë më tej kufizimet ndaj koronavirusit, kryeministri Boris Johnson po përballet me trysni në rritje për të shkarkuar këshilltarin e tij të lartë, Dominic Cummings.

Arkitekt i fushatës pro Brexit në vitin 2016, Cummings është vënë në qendër të kritikave pasi gazetat zbuluan se ai kishte thyer karantinën duke udhëtuar nga Londra në veri të Anglisë në muajin mars, kur bashkëshortja  e tij ishte me simptomat e Covid-19. Johnson e mbrojti ndihmësin e tij, pavarësisht kritikave të forta nga opozita dhe komuniteti shkencor të cilët mendojnë se vendimi minon mesazhin për frenimin e virusit.

Gjatë një fjalimi në Downing Street të dielën, kryeministri tha se besonte që Cummings nuk kishte pasur alternativë tjetër: “Bisedova gjatë me Cumming dhe arrita në përfundimin se kishte të drejtën të udhëtonte për t’i mundësuar fëmijës kujdesin e nevojshëm në momentin kur si ai, ashtu edhe bashkëshortja, nuk do të mund ta bënin këtë për shkak të koronavirusit. Mendoj se ndoqi instiktin e çdo prindi e babai”.

Në konferencën për shtyp, Johnson konfirmoi gjithashtu rihapjen graduale të shkollave fillore në Angli duke nisur nga 1 qershori. Kryeministri pritet të parashtrojë detajet e planit për lehtësimin e masave, por sipas analistëve, përplasja politike për Cummings po e pengon qeverinë të veprojë si duhet. Ata mendojnë se kryeministri duhet të shkarkojë Cumming në mënyrë që qeveria të ketë më shumë kredibilitet mbi ato që thotë për shëndetin publik.

Lideri i opozitës, Keir Starmer, kërkoi nisjen e një hetimi mbi vendimin e Cumming për thyerjen e karantinës, ndërsa mosreagimin e Johnson e quajti fyerje ndaj sakrificave të bëra nga populli britanik.