Pandemia në SHBA, zbuten kufizimet, rikthehen bursat në New York

KR SHBA RIHAPJA frame 1262 1100x620

Ka kaluar rreth një javë që prej nisjes së rihapjes ekonomike të 50 shteteve amerikane, por disa po ndjekin një ritëm më të ngadaltë.

Georgia, një nga të parët që riktheu në aktivitet biznese të ndryshme, ka raportuar 600 raste ditore me koronavirus, por shifrat nuk kanë pësuar rritje. Michigan ka zgjatur urdhrin e karantinës deri me 12 qershor, por duke nisur nga e marta do të rihapen disa biznese si pjesë e zbutjes së masave kufizuese.

Baret dhe restorantet po presin sërish klientë në shtete të ndryshme në zonën qendrore të Amerikës, ndërsa New Jersey mban akoma rregulla strikte.

New York është nga më të prekurit nga pandemia koronavirus dhe për herë të parë pas dy muajsh ka rihapur distriktin e famshëm financiar “Wall Street”. Guvernatori Andrew Cuomo, i pajisur me një maskë shënoi rikthimin në aktivitet të bursës së New York duke i rënë këmbanës.

Cuomo theksoi se për 2 muaj vendi përjetoi një periudhë të errët, por tashmë kurba është në rënie dhe përhapja e virust është ngadalësuar. Me rregullat e reja, vetëm çereku i punonjësve të mëparshëm do të kthehen në “Wall Street”. Ata gjithashtu duhet të shmangin transportin publik, të vendosin maska dhe të ndjekin rregulla strikte të distancimit social.