Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Tryeza e Reformës Zgjedhore, Hajdari: Sot prezantoj draftin për ligjin e referendumit

Nga A2 CNN
26 Maj 2020, 09:14 | Politikë
Tryeza e Reformës Zgjedhore, Hajdari: Sot prezantoj draftin për ligjin

Rudina Hajdari, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, njoftoi në “Dita jonë” në A2 se sot ajo do të prezantojë në tryezë një ligj për referendumin.

“Kemi shumë çështje për t’u diskutuar sot, si depolitizimi i administratës zgjedhore, Kolegji Zgjedhor, financimi i partive dhe financimi i fushatave. Po ashtu, sot do të prezantoj diçka që ka të bëjë me ligjin e referendumit. Ka pasur edhe më parë tentativa për ta sjellë ligjin e referendumit. Është një draft që i jep mundësi qytetarëve që ta kenë më të lehtë të mbajnë referendum për çështjet me interes të lartë kombëtar”, tha Hajdari.

Kur u pyet në lidhje me sistemin danez, Hajdari theksoi: “Kemi avancuar përsa i përket temës së ndryshimit të sistemit. Ndryshimi do të hapte dyert për njerëzit që e meritojnë vërtet që të hyjnë në Parlament. Sistemi danez nuk është sistem perfekt dhe nuk është ai që kisha propozuar dhe mbështetur. Unë kam mbështetur ndryshimin e mënyrës proporcionale rajonale në kombëtare dhe listat e hapura. Një kombinim i tyre do të ishte më i miri për një vend të vogël si ne. Sistemi danez e ruan fuqinë e kryetarit të partisë, por njerëzit që kanë dëshirë të votojnë përveç siglës së partisë, të votojnë dhe personin e caktuar brenda listës së propozuar nga kryetari i partisë. Ky sistem korrekton listat e kryetarëve”.

Rudina Hajdari nënvizoi në fund se derën e Partisë Demokratike nuk e quan kurrë të mbyllur, por shtoi se nuk do të jetë ajo që do të bëjë hapa përpara drejt PD-së.

“Derën e PD-së nuk e quaj kurrë të mbyllur, pasi e quaj veten politikane të djathtë, me mbështetje të madhe mes demokratëve. Edhe militantët kanë nisur të mendojnë ndryshe, pasi koha tregoi se mbajtja e mandatit ishte diçka e drejtë dhe lënia e tyre e gabuar. Nëse do të ishim sot të gjithë në Parlament duke luftuar pushtetin aktual, do të ishim më mirë si forcë e djathtë. Por, unë nuk bëj hapa drejt PD-së sepse nuk dua të zhgënjej njerëzit pranë meje. E dyta, nuk do të jem kurrë pjesë e diçkaje që të lërë shteg që më pas të thuhet se zoti Basha me zemërgjerësinë e tij pranoi sërish Rudinën në PD”, shpjegoi Hajdari.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani