Vazhdojnë përplasjet, Thaçi: Kurti erdhi për të më shkarkuar, po ikën vetë më shpejt

Shtohen replikat në distancë mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kreu i Shtetit iu përgjigj thirrjes së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje për dorëheqje në këtë mënyrë.

“Ai ka ardhur me qëllimin e shkarkimit të presidentit, por pata deklaruar edhe në atë kohë se ai do të ikë më shpejtë se presidenti”, deklaroi presidenti Thaçi.

Gjithashtu akuzoi Kurtin për shkelje të kushtetutës duke thënë se ka uzurpuar zyrën e kryeministrit pas shkarkimit nga Kuvendi i Kosovës.

Nuk vonoi dhe kundërpërgjigja e kreut të Vetëvendosjes që kundërshtoi këtë cilësim nga presidenti.

 “Mua më duket që dëshirat e tij i përshkruan si fakte të miat. Unë jam kryeministër në detyrë dhe nuk bëhet fjalë këtu për asnjë përshkrim që ka dhënë ai”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të bazohet vetëm në interpretimin e kushtetutës në marrjen vendimit për dekretin e presidentit, me të cilin mandaton Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e qeverisë së re, dhe jo ta shkruajë atë. Ndërsa Thaçi nuk pranoi të komentonte lidhur me këtë çështje.