Efekti pozitiv i pandemisë, koronavirusi rriti sasinë dhe cilësinë e mjaltit

Pandemia e koronavirusit, përveç efekteve negative, ndikoi në uljen e ndotjes së mjedisit dhe përfitueset më të mëdha ishin bletët, të cilat shtuan sasinë dhe cilësinë e mjaltit.

Këtë fakt e pohon për A2 një prej ekspertëve më të njohur në sektorin e bletërritësve. Vitor Malutaj, kreu i Federatës së Bletërritësve, thotë: “Bleta është indikator natyror i matjes së ndotjes së ambientit. Duke pasur më pak ndotje, bletët do të prodhojnë më shumë dhe cilësia e mjaltit do të jetë më e mirë”.

Shtegtimi në gështenja nis pas 1 qershorit, pasi është kryer procesi i vjeljes së mjaltit dhe më tej preferohen bimësitë e lartësive, për të mbërritur drejt dimrit, ku përdoret ushqim i gatshëm. Prodhimi duket i bollshëm. 

Çmimi i 1 kg është 1500 lekë dhe në total Shqipëria numëron afro 360 mijë koshere, me 21 mijë bletarë, ndërsa eksportohen 45 deri në 50 ton mjaltë në vit, kryesisht drejt SHBA-së, Japonisë apo Hong Kongut, pa harruar edhe qumështin e shumëkërkuar të bletës.

Malutaj është besimplotë se eksportet do të rriten këtë vit, ndërsa për të ardhmen kërkon mbështetje nga instancat shtetërore.

Ajri i pastër dhe heqja nga përdorimi e disa pesticideve të ndaluara nga BE-ja, janë arsyet që në këtë vit pandemie, mjalti “Made in Albania” të marrë nam të mirë dhe kërkohet më tepër në tregjet ndërkombëtare.