Financimi i ekonomisë, historiku i marrëveshjeve të FMN me Shqipërinë

Paratë që ofron Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk janë asnjëherë falas. Krahas interesave, ato vijnë me kushte, të caktuara posaçërisht për secilin shtet, për t’i orientuar ato drejt zgjidhjes së problemeve ekonomike në parametra si borxhi, niveli i taksave apo shpenzimet e qeverisë.

Shqipëria deri më tani ka marrë pjesë në 7 programe të mbështetura me fonde nga FMN, duke nisur nga ai i vitit 1992, kur qeveria mori një borxh prej rreth 30 milionë dollarësh, me kushtin e reformave të thella ekonomike dhe privatizimeve të kompanive shtetërore. Ky program ndihmoi vendin të arrinte një rimëkëmbje të jashtëzakonshme, ku rritja ekonomike vjetore ishte mesatarisht 9%, ku deficiti buxhetor u ul ndjeshëm dhe ku rritja e çmimeve u stabilizuar.

Por në vitin 1996, qeveria shqiptare iu shmang detyrimeve të saj, duke detyruar FMN të braktiste programin. Kjo solli rritjen e informalitetit në ekonomi dhe lulëzimin e skemave piramidale, që e zhytën vendin në krizë.

Pas zgjedhjeve të vitit 1997, u rivendosën marrëdhëniet me Fondin, që ndihmoi në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 7% në vit. Marrëveshje të tilla u përsëritën në qershor 2002 dhe shkurt 2006, gjithmonë me objektiva për t’u arritur nga qeveria me mbështetjen dhe ekspertizën e FMN.

Prezenca e Fondit gjithmonë është karakterizuar me një marrëdhënie dashuri-urrejtje nga ligjzbatuesit, nga kushtet e shumta, veçanërisht për tavanet e borxhit. Diçka që palët politike e kanë sulmuar në qeveri dhe e kanë kërkuar në opozitë.

Kështu në vitin 2009, FMN largohet nga Shqipëria e drejtuar nga kryeministri Berisha pas një programi 3-vjeçar dhe mban rolin e monitoruesit. Për t’u rikthyer sërish në 2013-ën, kur qeveria e sapoformuar e kryeministrit Rama e pa të nevojshme lidhjen e një marrëveshje për borxh prej 330 milionë eurosh, që do të ndihmonin financat publike në uljen e borxhit të lartë, që karakterizohej nga miliarda lekë në detyrime të prapambetura.

Pas përfundimit të programit në vitin 2017, qeveria zgjodhi të mos përsërisë një marrëveshje me FMN, që prej atëherë mban rolin e monitoruesit dhe këshilluesit, por pa detyruar ruajtjen e objektivave të veçantë.
E si në çdo periudhë krize, financat duket se do t’i drejtohen edhe njëherë një marrëveshjeje të re.

Instrumenti i Financimit të Shpejtë, shumë i nevojshëm për të ringritur ekonomikë pas Covid-19, mund të shoqërohet me një program të ri borxhi, që do ta orientojë vendin sërish drejt rritjes.