Koronavirusi në Shqipëri, Rama: Java e fundit me masa kufizuese, por lufta vazhdon

Rama koronavirusi masat covid 19 1100x620

Kryeministri Rama, në daljen e tij të fundit ekskluzive, siç e cilësoi ai, kushtuar Covid-19, u shpreh se kjo do të jetë java e fundit me masa kufizuese.

Megjithatë, kryeministri theksoi se numrat nuk po flasin mirë dhe duhet bërë kujdes dhe duhet të shmangen në maksimum grumbullimet.

“Numrat në Tiranë nuk po flasin mirë, shfaqjet politike me turma rrugëve të vendit, pa asnjë masë mbrojtëse, po vazhdojnë. Po luhet me zjarrin dhe me shëndetin e popullit. Bëni kujdes o njerëz, se nuk ju gjen gjë nga meraku dhe kujdesi im, ndoshta i tepruar. Me shëndetin dhe me jetën tuaj nuk luhet e ka kush e ka.

Lus Zotin përditë që të mos turpërohemi, pasi përballuam më të keqen dhe të mos rimbyllemi. Jam shumë në merak dhe po ua përsëris: kjo fazë është shumë delikate, virusi as ka ikur dhe as është mundur përfundimisht. Kjo është java e masave të mbetura kufizuese të lëvizjes. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore dhe sportive, dasma e funerale, ku nuk mund të mblidhen qindra njerëz bashkë, transporti publik që do të duhet të rrijë edhe për pak mbyllur, dhe plazhet po ashtu, ndërsa gjithçka do të kthehet si më parë. Por kujdes, sjellja nuk duhet të jetë më si më parë”, u shpreh Rama.