Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Reforma Zgjedhore, Celibashi: Vështirë të arrihet dakordësi për ndryshimin e sistemit zgjedhor

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 14:07 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Celibashi: Vështirë të arrihet dakordësi

Ilirjan Celibashi, ish-kreu i KQZ-së, deklaroi në “Ditari” në A2 se palët janë në rrugë të mirë për të përfunduar Reformën Zgjedhore brenda afatit të caktuar, por e shikon të vështirë që të ndryshohet sistemi zgjedhor.

“Është histori e përsëritur kjo, kur shumë afër zgjedhjeve të radhës, ne akoma diskutojmë për detaje teknike të administrimit të procesit zgjedhor. Ky është tregues i një mungese të theksuar të kujdesit për këtë proces dhe i vendosjes në plan të parë të interesave politike në raport me aspektet e administrimit zgjedhor”, u shpreh Celibashi.

Sipas tij, ligji zgjedhor në fuqi nuk është ligj që mund ta konsiderohet ligj i keq, por në çdo rast vullneti i partive politike dhe i aktorëve që merren me administrimin e procesit zgjedhor ka rendësi parësore. “Pa dyshim disa komponentë të administrimit të procesit zgjedhor, në rrethana të caktuara marrin një rëndësi shumë më të madhe, siç është çështja e administratës zgjedhore, procedurat e ankimimit dhe apelimit, roli i policisë apo institucioneve të tjera qeveritare në procesin zgjedhor. Nëse palët do të dakordësohen për këto çështje, të cilat, edhe pse janë teknike janë shumë të rëndësishme në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor, unë mendoj që do ta kemi atë sigurinë mbi integritetin e procesit të ardhshëm”, tha ish-kryetari i KQZ-së.

Lidhur me debatin për sistemet zgjedhore, Celibashi preferon atë mazhoritar me korrektim proporcional, si një sistem që siguron më fort dy komponentë të nevojshëm: lidhjen direkte mes votuesit dhe të zgjedhurit dhe qeverisje të qëndrueshme. “Në opinionin tim një sistem i mirë që na jep një qeverisje të qëndrueshme dhe të fortë, në gjendje për të kryer reforma të thella, por nga ana tjetër siguron dhe një përfaqësim të mirë, ka qenë sistemi që kemi aplikuar në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2005: një sistem mazhoritar, por me korrektim proporcional.” Ai tha se problematika që u përdor si argument me ndryshimin e sistemit në 2008 në proporcional kombëtar për largimin e të fortëve nga Kuvendi, rezultati sot tregon të kundërtën.

“Ai u përdor si justifikim me qëllim që dy forcave kryesore politike t’u siguronte një avantazh më të madh. Dhe fakti ka treguar që sistemi që ne aplikojmë, avantazhon partitë e mëdha politike. Ndërsa proporcionali kombëtar me lista të hapura ndoshta do ta zgjidhte deri diku çështjen e përfaqësimit të zgjedhësit tek i zgjedhuri, sepse qytetarët do të shikonin për kë do të votonin dhe do të vendosnin, në kuptim të emrit, por gjithsesi, prapë kjo nuk e zgjidh problemin. Në fund të fundit kryetari i partisë është ai që nominon kandidatët dhe nëse ai nuk ka pëlqim për një prej kandidatëve, për arsye të ndryshme, nuk do ta përfshijë në këtë listë”.

Në këto rrethana për realitetin shqiptar, Celibashi e sheh më të përshtatshëm kthimin e sistemit të mëparshëm zgjedhor, por aktualisht e vështirë për të ndodhur për shkak të kohës së pakët dhe mungesës së vullnetit.

“Kohët kanë ndryshuar në Shqipëri. Nëse dikush mund të thotë që kjo mënyrë dhe ky sistem u krijon hapësirë elementëve që kanë para dhe elementë të tjerë, të cilët, në mënyrë jo të ndershme, mund ta mbështesin…unë mendoj që ky argument nuk qëndron në Shqipërinë e vitit 2020”.

Një këshillë për të qenë realist edhe për ato lëvizje që po synojnë të hyjnë në politike dhe kanë si kërkesë themelore ndryshimin e sistemit zgjedhor: Ata që merren me politikë, nëse ma lejojnë këtë këshillë, duhet të jenë realistë kur kërkojnë të futen në skakierën politike. Kjo do të thotë më së pari që ti duhet të kuptosh fuqinë dhe çfarë mundësish ke ti për të tregtuar në këtë marrëdhënie të gjithanshme politike. Nga jashtë e ke të vështirë, për të mos thënë të pamundur, për të pasur mjetet për t’iu imponuar atij që është i fuqishëm sot në politikë dhe ka gjithë të drejtën në një farë mënyre për të vendosur dhe aplikuar ato rregulla të cilat mund t’i sigurojnë një avantazh politik dhe elektoral”. Ky, sipas ekspertit të proceseve zgjedhore Ilirjan Celibashi, është një ushtrim ndërkombëtar edhe në demokracitë më të përparuara.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu