Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Helikopterë Blackhawk i shtohen flotës shqiptare

Nga A2 CNN
29 Maj 2020, 11:15 | Aktualitet

Flota ushtarake shqiptare do të pajiset me helikopterë amerikanë UH-60 Black Hawk. Këtë të premte, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, nënshkroi bashkë me ambasadoren amerikane Yuri Kim kontratën e pranimit për pajisjen me këto helikopterë.

Sipas kryeministrit Rama, projekti është financim i përbashkët i dy qeverive. “Helikopterët "Black Hawk" që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në Bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë tregues se Forca Ajrore shqiptare dhe Forcat e Armatosura po ringrihen me hapa të sigurt”, shkroi kryeministri në Facebook.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, tha se helikopterët janë shumërolësh, pasi “mund të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi, të luftojnë zjarret dhe të transportojnë trupa drejt luftimeve dhe jashtë tyre, mes të tjerash”.

“Ky program përfaqëson shkëlqyeshëm dy aleatë që punojnë së bashku për të arritur qëllime të përbashkëta të sigurisë. Siç e dini, ky nuk është vetëm një dhurim i pajisjeve amerikane të mbrojtjes. Ky është një program i financuar bashkërisht, ku si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Shqipëria ndajnë përgjegjësinë financiare për të mbrojtur Aleancën. Shqipëria vazhdon të godasë përtej peshës së saj me kontributet e trupave në Aleancë. Ky është një shembull tjetër se si Shqipëria blen kapacitete dhe jo thjesht pajisje. Këta Helikopterë Blackhawk dhe financimi i përbashkët i tyre tregojnë se, dita ditës, Shqipëria po bëhet një aleate edhe më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë i sigurisë në rajon dhe më gjerë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”, tha ajo.

Në korrik të vitit të kaluar, një grup prej 4 pilotësh shqiptarë, pjesë të Forcës Ajrore, kryen edhe një stërvitje njohëse me modelin Blackhawk, në Bazën Ajrore të Rrojës Kombëtare të Nju Xhersit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani