Kushtetuesja në Kosovë, Bashkurti: Thaçi ka peshën më të madhe të fajit

Çfarë po ndodh në Kosovë? Zgjedhjet e 6 tetorit i fitoi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por jo me rezultat të thellë. Qeverinë nuk e krijonte dot i vetëm, ndaj bëri koalicion me LDK-në e Isa Mustafës. Qeveria qëndroi fare pak në punë, pasi mesa duket përçarja erdhi për postet që do ndaheshin mes tyre.

Kjo çoi në krizë dhe aleatët e Kurtit u tërhoqën nga aleanca, duke e çuar qeverinë në rënie. Albini, nën petkun e kryeministrit, kërkoi zgjedhje për të rimatur forcat edhe njëherë në popull. Por, presidenti nuk i dekretoi zgjedhjet, duke kërkuar që qeverinë ta bëjë partia e dytë fituese, pra LDK. Albini e çoi këtë dekret në Gjykate Kushtetuese për interpretim dhe mbrëmjen e së enjtes, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë dekretit të presidentit. Kështu, vendi nuk shkon në zgjedhje, por krijohet qeveria nga numrat që janë në parlament.

Ky moment çon në aleancë LDK-në e Isa Mustafës me AAK-në e Ramush Haradinajt për të krijuar qeverinë e re. E gjithë kjo panorama na hap çështje për diskutim, jo për të komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimet e gjykatave nuk komentohen, por ndoshta na shërben për një analizë se çfarë po ndodh në Kosovë. Ndërkombëtarët kanë nxituar të thonë mendimin e tyre duke mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të krijohet sa më shpejt qeveria e re, thonë ata. Kjo, sipas tyre, do i shërbejë edhe stabilitetit të vendit për të mos çuar në krisje të mëtejshme politike.

Për të hedhur më shumë dritë në këtë situatë të re, diplomati Lisen Bashkurti, një njohës i politikës dhe historisë në Ballkan, ishte i ftuar në A2, nga ku foli për situatën në Kosovë.

“Kosova do të hyjë në një cikël të ri krize politike”

“Edhe para vendimit të gjykatës edhe pas saj, interpretimet vazhdojnë të jenë të polarizuara, madje edhe nga ndërkombëtarët. Për këtë arsye, do të thotë se jeta politike në Kosovë nuk do të shkojë nga qetësimi, por nga tensionimi i saj. Faktori politik nuk do të shkojë nga bashkëpunimi dhe konsensusi, por do të shkojë drejt thellimit të polarizimit politik. Kjo klimë, do të jetë një faktor serioz që do të pengojë thellimin e reformave, ndoshta do të krijojë situata të paparashikueshme edhe me ndërkombëtarët dhe në bisedimet me Serbinë”.

“Do të kemi një opozitë jashtëzakonisht të fortë”

Unë i qëndroj mendimit se do të kemi një koalicion, i cili do të ngelët për t’u parë se si do të funksionojë, ndërsa do të kemi një opozitë jashtëzakonisht të fortë. Mund të thuhet se nga 2008-ta e këtej, kjo do të jetë opozita më e fortë. Ajo që është më shqetësuese, është se janë përfshirë edhe faktorë të jashtëm”.

“Parimet e kushtetutës janë vënë në dyshim”

Kemi të bëjmë edhe me një problem themelor që ndikon në politikën e Kosovës, që është dialogu me Serbinë dhe qasja që kanë faktorët politikë në këto dy vende. Qasjet janë shumë kontradiktore në Kosovë. Palët lypen që të lënë interesat personale dhe të vënë në plan të parë kushtetutën, e cila ka tre parime: Jo kthim në Serbinë e para 1999, jo copëtim të territorit dhe jo bashkim me ndonjë shtet tjetër. Këto parime e kanë bërë Kosovën e lirë dhe e kanë vënë hartën e Kosovës.

Këto parime janë vënë në dyshim, së pari nga mungesa e transparencës, nga mungesa e frymës së bashkëpunimit mes institucioneve dhe partive politike. Në mënyrë të veçantë, kur ka filluar dialogu me Serbinë, kjo ka krijuar një skepticizëm të madh, i cili ka prodhuar panik, që më pas është transformuar në frikë, tension dhe në konflikt serioz politik. Për këtë, unë mendoj se përgjegjësinë kryesore e mban Thaçi, i cili ka vepruar shpesh herë në mënyrë individuale”.