Paga e luftës, zgjerohet fasha për të larguarit nga puna deri më 17 maj
Pagën e luftës prej 40 mijë lekësh do të mund ta përfitojnë të gjithë personat e larguar nga puna deri më datë 17 maj. Qeveria ka vendosur të zgjerojë fashën e përfituesve, që deri më tani mbulonte vetëm punonjësit e larguar deri më 10 prill.
Ky tavan kohor kishte krijuar probleme të mëdha, ku aplikimet për mijëra punonjës ishin shpallur të pavlefshëm për të përfituar nga tatimet, për shkak se mund të ishin larguar nga puna qoftë edhe një ditë pas datës 10 prill.
Një tjetër ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave prek rastet kur bizneset nuk aplikojnë për të punësuarit apo ish të punësuarit e tyre, diçka që deri më tani ishte zgjidhur me gjobë. Tashmë do të jetë vetë administrata tatimore që do të japë ndihmën financiare, pas verifikimit të të dhënave që do të dorëzojnë vetë individët.
Afati për aplikimin për këtë paketë financiare është data 5 qershor 2020 dhe nga zgjerimi i fashës kohore pritet të përfitojnë rreth 30 mijë persona të larguar nga puna.
Në total deri më tani bonusin prej 40 mijë lekësh e kanë përfituar mbi 109 mijë individë.