Prej 1 qershorit, rihapen të gjitha sportet në vend, ndeshjet pa tifozë

Sporti shqiptar ka zyrtarisht dritën jeshile për të rinisur aktivitetin. Në komunikimin e saj të fundit ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se prej datës 1 qershor të gjitha sportet në vend mundtë vazhdojnë sezonin e ndërprerë, por pa praninë e publikut.

Kështu, futbolli do të rinisë prej 3 qershorit, sikurse është përcaktuar më herët nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kalendari mbetet i njëjtë me ndeshjet që do të luhen afërsisht çdo 3 ditë.

Kupa e Shqipërisë nuk ndryshon ndërsa do të nisë më 10 qershor dhe do përcaktojë skuadrën fituese më 2 gusht. Qeveria i hapi rrugën, ndërkohë edhe të gjithë sporteve të tjera në vend, përfshirë lojërat me dorë.

Volejbolli dhe basketbolli shqiptar janë pezulluar pak javë përpara nisjes së fazës së play off. Në varësi të kohës së mbetur në dispozicion deri në fundin e sezonit, federatat e lojërave me dorë mund të bëjnë ndryshime në numrin e skuadrave që do të përfshihen në fazën finale nëse aktiviteti do të kalojë afatin e vendosur nga Federatat Europiane.