Reforma zgjedhore, Dervishi: Më shumë çështje pezull sesa orë në dispozicion, Krasniqi: E ardhmja, peng e së kaluarës

Java që lamë pas ishte e ngarkuar me ngjarje politike, të cilat janë ende pezull, por kemi një konfigurim të asaj që po ndodh. Reforma zgjedhore është futur tashmë në minutat e fundit të afateve të caktuara dhe të premtuara, por si gjithmonë me shumë çështje që nuk bien dakord.

Kemi patur një aksion në terren të ambasadores amerikane gjatë javës, e cila nuk ngurroi t’i takonte personalisht të gjithë aktorët e kësaj tryeze. Sigurisht, pas çdo takimi, deklaratat ishin të përgjithshme me atë lajtmotivin e njohur tashmë, ku nxiten palët për dialog dhe që politika të shohë nga e ardhmja.

Kjo temë u diskutua në A2 me analistët Lutfi Dervishi dhe Afrim Krasniqi. Kur jemi 48 orë para mbarimit të afatit, thotë Dervishi, lista e rekomandimeve zyrtare të OSBE/ODIHR-it është ku e ku më e gjatë se sa orët e mbetura për të adresuar çështjet për reformën e radhës. Ai thekson se edhe pas zgjedhjeve të ardhshme do të ngrohet sërish një komision bipartizan për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

“Të shohësh nga e ardhmja është një gjë pozitive, por së pari duhet të shohim nga e sotmja, ku jemi, për të parë se çfarë hapash duhet të hedhim drejt së ardhshmes. E shkuara na kushtëzon në hapat që bëjmë drejt së ardhshmes. A ka ndonjë vend në kontinent që ka problem me realizimin e zgjedhjeve? Vendet fqinjë, por edhe vendet e tjera nuk kanë probleme. E shkuara na mban peng me zgjedhjet. Nëse shqiptarët e vranë frikën nga vota e lirë në vitin 1991, klasa politikë nuk e ka vrarë frikën nga zgjedhjet e lira. Problemet me zgjedhjet i kanë kushtuar qytetarëve dhe vendit. Është pak ironike të kërkosh për një të ardhme të mirë, të realizosh zgjedhje të lira dhe të ndershme. 48 orë para mbarimit të afatit, lista e rekomandimeve zyrtare të OSBE/ODIHR-it është ku e ku më e gjatë se sa orët e mbetura për të adresuar çështjet për reformën e radhës. Druaj se me këtë reformë që mbyllet, do të kalojmë në zgjedhje dhe pastaj hapi i parë është të ngremë një komision bipartizan për të adresuar shqetësimet mbi bazën e rekomandimeve të radhës”.

Për Afrim Krasniqin, analist i A2, e ardhmja e Shqipërisë dhe konkretisht e reformës zgjedhore është peng i së kaluarës.

“Deklarata e Yuri Kim me Bashën është pjesë e retorikës së javës së ambasadores. Kemi të bëjmë me një aksion politik. Ambasadorët kanë një agjendë të shkurtër, 3 vjeçare dhe si e tillë, ata kërkojnë rezultate konkrete. Në anën tjetër, ne që jetojmë këtu dhe kemi 30 që jetojmë në Shqipëri dhe shohim të njëjtët aktorë, të njëjtat skena, të njëjtat sjellje në dialogun politik për reformën zgjedhore, për ne ka rëndësi e ardhmja, por edhe e shkuara, përvoja që kemi mësuar nga e kaluara dhe a kemi reflektuar prej saj. Nga ajo që ne shohim në komision, nuk ka ndonjë reflektim nga e kaluara dhe e ardhmja jonë dhe e partive politike që ndodhen në tryezë është peng i të kaluarës., Unë nuk pres të ketë ndonjë kalim cilësor në drejtim të së ardhmes. Elementi tjetër lidhet me ndryshimin e agjendës politike.

Pas kalimit të situatës, e gjithë vëmendja do të fokusohet te zgjedhjet e ardhshme. Edhe me ndryshimet e reja në kod, nëse ato krijojnë harmoni, do të duhet që Presidenti të shpallë datën e zgjedhjeve, maksimumi, në muajin shtator nëse zgjedhjet do të zhvillohen në muajin mars ose nëse krijohet një dispozitë tjetër kalimtare, mund të ndodhë që data e zgjedhjeve të shpallet që në muajin qershor. Nëse kjo ndodh, e gjithë epiqendra e partive politike do të jetë aksioni politik në funksion të zgjedhjeve, duke lënën në hije të gjitha agjendat e tjera politike. Një vend i varfër, me një mijë probleme, në vend që të merret me problemet, fokusohet në një vit vetëm në një “luftë luanësh” se kush të kontrollojë një proces zgjedhor dhe jo nëse ky proces do të jetë zgjidhje për Shqipërinë”, u shpreh Krasniqi.