Teatri dhe Skavica, ekspertët: Nuk është momenti, duhet mbështetur ekonomia

30 milionë euro për Teatrin Kombëtar dhe 246 milionë euro për Hidrocentralin e Skavicës. Këto janë kostot e projekteve të zotuara nga kryeministri për t’u ndërtuar me fondet e shtetit, që më së shumti do të financohen duke marrë borxh të ri nga kreditorë të huaj.

Por për ekspertët e ekonomisë, nuk është ky momenti për të ndërmarrë nisma me vlera të tilla, pavarësisht përfitimeve që mund të sillnin në të ardhmen si rasti i Skavicës. Veçanërisht në kushtet kur nuk dihet ende dëmi në ekonomi nga pandemia dhe kur këto projekte kushtojnë afërsisht sa shuma e akorduar nga qeveria në dy paketat e para financiare.

Sipas Ilir Cikos, ‘vërtet Shqipëria nuk  e ka luksin në këtë periudhë të marrim barra të reja që do të rëndojnë ekonominë duke çuar sektorin publik në kolaps të plotë. Gjatë viteve të shkuara janë anatemuar shumë koncesionet, por edhe ky hidrocentral mund të ndërtohej pa i kushtuar taksapaguesve asnjë lek”.

Ndërkohë, për Dorian Telitin “rritja e borxhit publik mund të vij pasi të jenë ezauruar te gjitha resurset ekzistuese dhe të jene rialokuar në sfidat ekonomike”.

Për Zef Preçin, “jemi në vit elektoral, dhe kujdesi i kryeministrit është që të jepe imazhin e një vendi që nuk pyet nga kriza”.  

 Dy goditjet që ka pësuar ekonomia shqiptare gjatë muajve të fundit, tërmeti dhe kriza e Covid-19, do të rrisin ndjeshëm nevojën për financim me fonde publike. Për këto arsye, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që borxhi publik në fund të vitit të kapërcejë në 75.6%.

Por në këtë parashikim nuk merren parasysh dy projektet e Teatrit dhe Skavicës, që do të kërkonin një tjetër rritje të borxhit me 2%. Sipas ekspertëve, rritja e pakontrolluar e borxhit mund të dëmtojë ndjeshëm vlerësimin e financave publike shqiptare në sytë e kreditorëve dhe të detyrojë nga ana tjetër rritje të taksave për bizneset dhe qytetarët.