Afati për Reformën Zgjedhore drejt skadimit, nuk ka ende dakordësi

Ka përfunduar pas më shumë se 4 orësh diskutime mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Ndonëse afati kur kjo reformë duhet të përmbyllet është pranë përfundimit, palët ende nuk kanë arritur një konsensus për çështjet më të rëndësishme të saj.

Përdorimi i teknologjisë, mënyra e ankimimit dhe sistemi zgjedhor ishin çështjet e diskutuara sërish në takimin e sotëm, për të cilat ende nuk ka një dakordësi.

Përfaqësuesi i opozitës në këtë tryezë Oerd Bylykbashi deklaroi pas takimit se PS tregoi edhe njëherë se nuk heq dorë nga vjedhja e votave dhe mbushja e kutive.

“Për të tretën ditë me radhë partia socialiste bëri me dije se nuk heq dorë nga qëllimi i saj për të mbushur kutitë e votimit. Partia Socialiste, sot përsëri, pavarësisht insistimeve se e ka të qartë se kjo është çështje themelore, nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron, vetë shpall rezultatin. Partia Socialiste në strategjinë e saj ka vetëm një gjë vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe të cilën opozita nuk do lejojë të kalohet. Pa u arritur dakordësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive të votimit përmes identifikimit biometrik në të gjitha kutitë e votimit nuk ecet përpara”, tha Bylykbashi.

Ndërsa Petrit Vasili tha se me qëndrimin që po mban mazhoranca kërkon të legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas tij qëllimi i vetëm i PS është që të minojë reformën zgjedhore.

“Mazhoranca kërkon të legjitimojë eksperimentin e 30 qershorit ku numëruesit dhe komisionerët e qeverisë të bëhen me ligj. PS me një votim korrekt nuk i fiton zgjedhjet. Tani kërkon të mbushë kutitë në tavolinë e të numërojë votat vetë ashtu si bëri në 30 qershor. Opozita nuk tërhiqet nga standardet bazike dhe të hyjë në një rrugë pa krye. Sot ka vetëm një strategji të PS, ta minojë reformën zgjedhore dhe të shkojë drejt logjikës së faktit të kryer”, tha Vasili.

Anëtari i mazhorancës në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri pranoi se ende nuk ka një dakordësi me opozitën për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje dhe reformimin e administratës zgjedhore.

Damian Gjiknuri tregoi se në mbledhjen e së shtunës u bisedua dhe për çështjen e sistemit zgjedhor, i cili sipas tij do të diskutohet me prioritet në fazën e dytë të reformës zgjedhore.

Sipas përfaqësuesit të mazhorancës në këtë tryezë, pjesa më e madhe e partive nuk kanë dëshirë për ndryshimin e sistemit.

“Sot trajtuam dhe çështje të tjera siç ishte prezantimi i aplikimit të sistemit të mundshëm danez, propozuar nga zonja Hajdari. Dhe nga diskutimet që u bënë atje u ra dakord që çështja e sistemit të trajtohet në fazën e dytë të reformës zgjedhore. Sepse ky Këshill Politik ka rënë dakord dhe me shkrim që kjo çështje të trajtohet e para në fazën e dytë ku të gjitha palët duhet të shprehen sepse akoma një pjesë e mirë e politikës nuk ka shprehur dëshirën e mirë për ndryshimin e sistemit. Faza e dytë do të ketë reformimin e ligjit për financimin e partive dhe atë të referendumit. Pika më e madhe që na ndan është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore. Për teknologjinë, vullneti ka qenë i qartë. Morëm përsipër ta aplikojmë si votimin dhe identifikimin elektronik. ODIHR na tha ta përdorim gradualisht. Ne jemi për më shumë se 10%. T’i drejtohemi ODIHR dhe po u tërhoq nga opinioni i parë, ta përdorim. Mund të vihen në rrezik zgjedhjet. ”, deklaroi Gjiknuri.