Austria do të hapë sezonin e ri të Formula 1

formula 1 1100x620

Aktivitetet sportive kanë filluar të rinisin një nga një pas pandemisë së koronavirusit. Një ndër to është dhe Formula 1, e cila ka caktuar më në fund datën dhe garat e para për sezonin e 2020-s.

Pista e Austrisë është ajo që do të ngrejë siparin e garave më të ndjekura të shpejtësisë, ku do të zhvillohen 2 garat e para më 5 dhe 12 korrik.

Sipas rrjetit televiziv austriak ORF, Ministria e Shëndetësisë i hapi rrugë zhvillimit të garave në pistën “Red Bull” në Spielberg, të cilat do të mbahen pa praninë e spektatorëve. Ministria konfirmon se organizatorët kanë përgatitur një protokoll profesional sigurie për të parandaluar përhapjen e mundshëm të infeksionit.

Pak ditë më parë, Holanda njoftoi se nuk do të lejonte zhvillimin e garës së Formula 1 këtë sezon, duke bërë që pas Austrisë, dy garat e radhës të zhvillohen në Britaninë e Madhe.