Fundjava e parë pa kufizime, ndalohet vetëm dalja nga qyteti

Tirana sheshi skenderbej 1100x620

Përveç lëvizjes së automjeteve nga zonat e kuqe në ato të gjelbra dhe anasjellas, kjo fundjavë nuk ka asnjë kufizim tjetër. Dyqanet, lokalet dhe restorantet, të cilët prej më shumë se dy muajsh janë mbyllur në fundjavë, këtë të shtunë dhe të diel lejohen të qëndrojnë të hapur.

Lajmi u bë i ditur një ditë më parë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila njoftoi edhe lehtësimin e mëtejshëm të masave duke nisur nga e hëna, 1 qershor.

Ministrja shtoi se “nga 1 qershori do të hapen plazhet nën masa sigurie”. “Plazhet do të jenë të autorizuara me autorizimet e përshtatshme”, theksoi Manastirliu.

Më tej, ministrja njoftoi se “kampionatet sportive do të lejohen nga data 1 qershor, pa praninë e publikut”. Do të vijojnë të mbeten të ndaluara “aktivitetet kulturore, klubet e natës, kinema, teatro, dasma dhe tubimet e çdo lloji”.