Industria e verës në Spanjë, kriza nga koronavirusi gjunjëzon sektorin me vlerë 1,2 miliardë euro

Sektori me vlerë 1,2 miliardë euro i verës “kava” në Spanjë ka kaluar disa vite me ulje dhe ngritje, për shkak të grevës së fermerëve të varieteteve të rrushit, shitjes së kompanive familjare te firmat e huaja, apo rënies së shitjeve për shkak të krizës separatiste në Katalonjë. Të gjitha këtyre problemeve, iu shtua edhe kriza e pandemisë nga Covid-19.

Izolimi në Spanjë ishte një prej më striktëve në Europë, për vetë faktin se shteti iberik ishte prej më të goditurve nga koronavirusi. Për afro dy muaj, karantina bëri që vendi të mos kishte turistë, të gjithë restorantet u mbyllën, me këto faktorë që reflektuan edhe në konsumimin e pijes alkoolike, e cila prodhohet kryesisht në krahinat e verilindjes së Katalonjës.

Rreth 60% e 214 kompanive që e prodhojnë kava-n, janë detyruar që të bëjnë pezullime të përkohshme të punonjësve. Konfirmimi erdhi nga Damia Deas, president i grupit të biznesit “Instituti i Kava-s”, që përfaqëson rreth 70% të kantinave dhe që është drejtor i markës Vilarnau. “Duhet të kuptojmë ndryshimin ndërmjet shkarkimeve nga puna për shkak të forcave madhore dhe largimeve nga puna teknike apo të përkohshme. Jemi prekur drejtpërdrejtë në nivel tregtar, si rezultat i bllokimit të industrisë së hotelerisë dhe turizmit gjatë verës. Shkarkimet e përkohshme janë aplikuar nga afro 60% e kompanive dhe mendoj se kjo masë do të na ndihmojë të gjithëve për të kapërcyer krizën e shkaktuar nga rënia e aktivitetit tregtar në të gjitha nivelet”, tha ai.

Sipas përllogaritjeve të bëra, Deas deklaron se shitjet në vitin 2020 mund të zbresin nga 25 deri më 40%, krahasuar me 250 milionë shishet e prodhuara në 2019-ën, i cili ishte edhe viti i dytë më i mirë në historinë e prodhimit të verës. Rreth dy të tretat e shisheve eksportohen, me kava-n që konkurron shampanjën franceze dhe prosekon italiane.

Gjatë izolimit, rënien më të madhe e regjistroi shitja brenda Spanjës, krahasuar me shitjen në shtetet e tjera të botës. Por, sipas Deas, falë konsumit më të lartë familjar gjatë majit, statistikat në gadishullin iberik janë përmirësuar, në krahasim me muajin prill. “Më optimistët thonë se kemi rënie me 25%, ndërsa për më pesimistët, shifra është 40%. Pra, mesatarisht, rënia është afro 30,35 për qind”, thotë ai.

Ndryshimi i statistikave lidhet me faktin se kompanitë kanë profile të ndryshëm, disa prej tyre janë më të përqendruara te eksporti, ndërsa disa të tjera punojnë kryesisht me industrinë e hotelerisë. Kjo është arsyeja përse impakti i rënies në shitje është i ndryshëm, në varësitë profilit që ka kompania. Pas rënies së prodhimit me 3,2% në vitin 2018, më së shumti për shkak të protestave në nivel kombëtar, prej kërkesës së Katalonjës për pavarësi, gjatë vitit të kaluar, sektori i verës kava arriti të rikuperonte, duke regjistruar 2% rritje. Kjo, edhe pse eksporti regjistroi një rënie të lehtë. Mesi i gushtit është periudha e të vjelave. Masat shëndetësore dhe të higjienës, nga distancimi social deri te përdorimi i maskave, nuk pritet të ndikojë në vjeljen e rrushit. Sipas Deas, puna gjatë vjeljes mund të realizohet në hapësira të mjaftueshme dhe me ndihmën e makinerive. Procesi, nga prodhimi i verës, vendosja në shishe dhe deri në shitjen e produktit, kërkon të paktën një vit punë.

“Në aspektet logjistike dhe prej kushteve të punës, nuk mendoj se puna në vresht apo në kantina mund të përbëjnë ndonjë rrezik për pandeminë. Punonjësit kanë distanca të konsiderueshme të sigurisë. Një pjesë e punës realizohet në vende të hapura dhe distancat janë të konsiderueshme. Për më tepër, edhe në vende të mbyllura, nuk jemi asnjëherë më shumë pranë nga sa duhet. E njëjta gjë ndodh kur shkojmë në vreshta për të vjelur rrushin, punonjësit janë të ndarë dhe nuk afrohen. Vjelja pritet të nisë në mesin e muajit gusht, por duke qenë se ka mbi dy muaj kohë, është e vështirë të themi datën e saktë. Sezoni i vjeljes nis gjithmonë me varietetet e Chardonnay dhe Pinot Noir, mes pas vjen koha e Santa Marias nga 15 gushti deri në fund të muajit”, tregon Deas.

Prodhuesit spanjollë të kavas mund të shfrytëzojnë disa nga idetë e italianëve, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të marketingut në mediat sociale. Këtu përfshihen degustimi online i verës, në grupe që bashkëbisedojnë nëpërmjet lidhjeve video, apo seminare në internet me grupe të studentëve gjermanë apo me bare kineze. Të gjitha këto risi kanë bërë të mundur që proseko italiane të mos humbasë treg.

Pavarësisht krizës së koronavirus, gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, shitja e prosekos u rrit me 0,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shitjet në supermarkete apo rritja e eksporteve, kompensuan konsumin e munguar në bare dhe restorante. NëItali, prodhimi u kthye në nivelet e vitit 2019, falë “optimizmit të arsyeshëm për të ardhmen”, tha Stefano Zanette, presidenti i bordit rregullator të prosekos.

Edhe pse sektori i kavas në Spanjë nuk i ka axhornuar ende të dhënat, mendohet se rënia e shitjeve gjatë pandemisë mund të shkaktojë stok të verës në momentin e vjeljes, e cila rrezikon të ulë çmimin e rrushit dhe të fusë në krizë fermerët. Shtatorin e kaluar ata dolën në grevë, pasi kompanitë më të mëdha të prodhimit të verës, paguan 30% më pak për blerjen e rrushit, krahasuar me një vit më parë.

Për të shmangur impaktin negativ të shkaktuar nga Covid-19 dhe për të evituar kolapsin, Bordi Rregullator i Kavas aprovoi shkurtimin më të madh të prodhimit në histori, me 2 ton më pak rrush për hektar. Kjo është mënyra për të përballuar tepricën e prodhimit, krahasuar me uljen e kërkesës në treg.

“Aktualisht po punojmë me administratën lokale dhe atë të qeverisë spanjolle, në hartimin e një sërë masash siç është “distilimi i krizës”, për të përdorur një term nga gjuha e verës. Ideja është që një pjesë e alkoolit që prodhojmë të orientohet drejt distilimit industrial, pra të realizojmë përzierje alkoolike për dezinfektim. Ky është një prej opsioneve që po studiojmë, por ka edhe mundësi të tjera, të cilat mund t’i shfrytëzojmë për të lehtësuar problemet financiare të kësaj vjeshte”, tha Deas.

Një zëdhënësi Ministrisë së Agrokulturës tha se qeveria spanjolle do ta ndihmojë industrinë e kavas. Autoritetet po përgatisin një paketë me vlerë 85 milionë euro për të ndihmuar sektorin e prodhimit të verës në këtë periudhë krizë, shifër e cila përbën 1% të prodhimit të brendshëm bruto. “Do të nevojitet të paktën një vit, që shishja e parë nga rrushi i vjelë në vitin 2020 të dalë në treg. Ky është afati minimal i vjetërsisë që kemi përcaktuar për një shishe verë. Minimumi për kavan më të thjeshtë nevojitet 9 muaj. Në rastin e varietetit cilësor të kavas, periudha minimale e vjetërsisë është 15 muaj, ndërsa për verën më të mirë nevojiten të paktën tre vjet”, tha Deas.

Koronavirusi erdhi në një moment transformimi për kavan. Prej vitit 2018, dy prodhuesit më të mëdhenj të pijes karakteristike nuk janë më biznese familjare. Grupi gjerman “Oetker”, bleu mazhorancën e aksioneve të Freixenet, ndërsa grupi amerikan me kapital privat, Carlyle ka marrë kontrollin e markës  Codorniu, e cila prodhohet prej afro 5 shekujsh. Në vitin 2018, ish-drejtuesit e kompanisë prodhuese Codorniu, tentoi që të rriste çmimet e shisheve të kavas. Një objektiv që për momentin duket i pamundur, për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.