Kanabis në kamionin që po shkonte drejt Greqisë, 4 të arrestuar

kamioniii 1100x620

Një sasi prej 195 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis është sekuestruar nga policia në Kapshticë, e cila është gjetur e fshehur në një kamion.

Policia ka bërë të ditur se, pas kontrollit të detajuar të kamion tip “Iveco”, me drejtues shtetasin S. V., 54 vjeç, banues në Tiranë, i është gjetur e fshehur lënda narkotike.

Kontrolli ka vijuar më pas me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku u shfaqën dyshime se mbi karrocerinë e mjetit mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në sipërfaqen e saj u gjet një sasi prej 195 kg lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Drejtuesi i kamionit (i dënuar më parë për veprën “Dhuna në familje”) u arrestua në kushtet e flagrancës.

Pas shoqërimit të tij në polici dhe falë një pune intensive hetimore dhe profesionale të kryer nga specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme dhe  narkotikët në DVP-Korçë, u bë zbardhja, dokumentimi i plotë i skemës së tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, identifikimi dhe në bashkëpunim me DVP-Tiranë, kapja e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Konkretisht u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit lëshuar nga Prokuroria e Korçës, për shtetasit:

Sh. H., 64 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vetëgjyqësi”).

V. C., 55 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).

M. J., 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit.

Si edhe u shpall në kërkim shtetasi B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Sh. H., dhe V. C., dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie.