Këshilli Politik, Hajdari: Nuk e kuptoj pse Basha do këtë sistem që e ka bërë Ramën perandor

30 MAJ REFORMA ZGJEDHORE DEKLARATE 20 30 frame 102906 1100x620

Bashkëkryetarja e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, Rudina Hajdari foli sërish për çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik.

Ajo deklaroi se prezantoi një formulë për ndryshimin e sistemit e cila hap listën e kandidatëve pjesërisht, gjë e cila iu hodh poshtë nga pjesa tjetër e tryezës.

Hajdari u shpreh se ende nuk e kupton se përse Lulzim Basha mbështet një sistem që i ka dhënë kryeministrit Rama sipas saj të gjithë pushtetin.

“Iu propozova anëtarëve të Këshillit Politik që t’i përmbushnim sot të gjitha çështjet. Nuk pranuan dhe u çuan sepse nuk morën përgjigjet që donin. Unë erdha në këtë tryezë me synimin që të ndryshoj sistemin zgjedhor. E di shumë mirë që shqiptarët e duan ndryshimin zgjedhor. Nuk e kuptoj përse Partia Demokratike nuk e përqafon këtë ide. Erdha për të gjetur dhe një formulë kompromisi që ta pranojnë të gjitha palët. Sot propozova një formulë që është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët edhe nga ambasada amerikane dhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë civile, e cila e hap listën pjesërisht. Edhe këtë ma hodhën poshtë. Përse këta njerëz kanë kaq frikë për të ndryshuar sistemin zgjedhor? E kuptoj Ramën që e do këtë sistem sepse ka 74 mandate dhe me këtë pushtet është bërë autoritar dhe i pasur. Por nuk e kuptoj dot Bashën që e do këtë sistem që e ka bërë Ramën perandor”, deklaroi Hajdari.