Mungon uji i pijshëm, banorët e Ormanit: Edhe kur vjen është i ndotur

Prej 30 vitesh, aq sa ka vendi në demokraci, kryefjala e problematikës së banorëve të Ormanit në rrethin e Korçës është mungesa e ujit të pijshëm.

Përveç faktit që uji u vjen në çezma dy orë në dy ditë, edhe kur vjen është mjaft i ndotur. Banorët shprehen se, nëse gjithë bota e ka hallin te Covid-19, për ata, koronavirusi është uji i pijshëm.

Edhe pse kjo situatë njihet nga bashkia e Korçës, duket se kjo e fundit është e pafuqishme për të ndërhyrë që të furnizojë të paktën me ujë të pastër mbi 600 familjet e Ormanit.

E derisa problematika e tyre ndër dekada të marrë një zgjidhje, banorët do të vazhdojnë ritualin e tyre, duke mbushur ujë me bidonë në fshatrat fqinjë, që do të thotë më shumë shpenzime dhe humbje kohe për ta.