Vetëm në Paris… gatime “me tre yje Michelin” në kohë pandemie

Trofta krudo me salcë kosi, shkurta me lulelakër dhe salcë bajame. Edhe pse në kohë jo normale, shefi i tre yjeve Michelin, Guy Safoy, nuk heq dorë nga gatimet cilësore.

Një nga kuzhinierët më të famshëm në botë, hapi një nga katër restorantet e tij në Paris, “La Chiberta”, afër Harkut të Triumfit, vetëm për dërgesa, pasi Franca zbuti pjesërisht disa kufizime për shkak të pandemisë së koronavirusit në fillim të këtij muaji. “La Chiberta” fitoi yllin Michelin në vitin 2005.

Për të kënaqur dëshirat e njerëzve që preferojnë kuzhinën e cilësisë së lartë, restoranti ofroi një meny për 55 euro, ose gjysma e menysë së rregullt. “Donim t’u tregonim njerëzve që jemi akoma këtu dhe që ekziston gjithmonë mundësia për të ngrënë diçka me cilësi të mirë”, deklaroi shefi ekzekutiv i grupit të restoranteve, Guy Savoy. “Ne e kuptojmë që nuk na harrojnë, sepse çdo ditë kemi rreth 35-38 porosi”.

Në 11 maj, Franca deklaroi se do të bënte një hapje graduale duke lejuar shkollat, dyqanet dhe fabrikat prodhuese të rifillojnë operimet. Por restorantet, kafenetë dhe baret qëndruan të mbyllura. Më pas, të enjten e 28 majit, kryeministri Eduard Filip, njoftoi edhe valën e dytë të masave për vazhdimin e hapjes së Francës.

Ndërkohë, Parisi mbetet i klasifikuar si një zonë me rrezik të lartë, duke vonuar rihapjen e restoranteve. Zinxhiri i restoranteve tha se ata mund të përgjysmojnë 70 vendet e punës që kanë nëpër restorante, për të respektuar distancimin social dhe do të vazhdojnë të ofrojnë ushqim për të marrë me vete për të kompensuar tavolinat e humbura.