Izolimi u kufizon të ardhurat, muzikantët: Covid-19 nxorri në pah pabarazinë në treg

gomez 1100x620

Kur si pasojë e pandemisë koronavirus, vendet ku luhej muzikë live u mbyllën, u anuluan koncerte, çka pezulloi planet për lançimin e albumeve të rinj dhe mbi të gjitha, për shumë muzikantë, pandemia mbylli të vetmin burim të ardhurash.

Paratë që marrin nga transmetimi onlinë i muzikës së tyre, janë në nivelin e lëmoshës, ndaj muzikantët britanikë kërkojnë që t’u jepet një pjesë e të ardhurave që fitojnë kompanitë muzikore prej punës së tyre.

Tom Gray Mercury, anëtar i “Gomez”, grupit që numëron çmime të shumta muzikore, thotë se të ardhurat që ai përfiton nga transmetimi i muzikës së tij, dalin vetëm për të paguar kafet sot dhe në vijim. Për këtë qëllim Gray ka ndërmarrë dhe një fushatë që e ka quajtur “Brokenrecord” që synon të ushtroj presion mbi industrinë muzikore që të bëjnë më tepër për ata që e mbajnë në këmbë këtë industri, për njerëzit që bëjnë muzikë.

“Pak qindarka, domethënë asgjë. Dua të them një shumë aq e papërfillshme sa as ia vlen ta diskutojmë. Ndoshta me këto para do të arrij të paguaj kafet. Nuk di tua them sa keq është situata”, thotë këngëtari.

Tom Gray Mercury

Janë të shumtë muzikantë që janë lënë jashtë programeve mbështetëse të qeverisë, për shkak se në këtë biznes, shumë prej tyre punojnë në të zezë. Një studim i unionit të muzikantëve, në fillim të këtij muaji, tregoi se rreth 38% e artistëve, kanë mbetur jashtë skemës së ndihmës së qeverisë.

HotChip, një bandë që bën muzikë elektro, kishte planifikuar një tur global këtë vit, por izolimi për shkak të koronavirusit, i la nëntë anëtarët e bandës me një minimum të ardhurash, pavarësisht se çdo muaj janë më miliona fansat e grupit që dëgjojnë muzikën e tyre online.

Kjo situatë ka nxjerrë në pah mënyrë të padrejtë se si funksion industria muzikore moderne, thotë Al Doyle, kitarist i grupit.

“Shiko si është puna, industria muzikore sot ka para më tepër se sa ka pasur ndonjëherë. Nëse paratë do të shpërndaheshin në mënyrë të drejtë, grupi ynë do të ishte duke u relaksuar në Los Angeles, me një Kadillak Eldorado jashtë dhe duke fjetur në një shtrat të artë, njësoj si funksiononte në periudhën më të lartë të shitjeve muzikore, në 1978-ën. Por nuk është ky rasti. Paratë shkojnë te një grup i vogël, dhe nuk u shpërndahen pjesës dërrmuese të muzikantëve”, thotë ai.  

Ditët e sotme vetëm artistët në listën “TOP” kanë të ardhura të konsiderueshme nga transmetimi online i muzikës së tyre. Arsyeja është se paratë e paguara nga konsumatorët për platformat në internet, grumbullohen në një vend, e u shpërndahen më pas artistëve në bazë të pjesës së tregut që ata zotërojnë.

Me pak fjalë,  nëse dikush do të paguante 10 paund (12,26 dollarë) në muaj për të dëgjuar vetëm  Hot Chip apo grupin Gomez, paratë e tyre shkojnë për artistë si Ed Sheeran ose Beyonce, dhe labelët muzikor që ata përfaqësojnë.

Tregu muzikor nuk ka probleme parash. Një raport i Goldman Sachs , i publikuar këtë muaj, tregon se pavarësisht rënies në masën 25% të të ardhurave globale nga muzika, si pasojë e pandemisë, industria do të dyfishoj vlerën në dhjetë vitit në vijim.

Sipas raportit, edhe këtë vit, xhiroja po shfaq tendencë rritëse në masën 18%.  Platformat onlinë të transmetimit thonë se po bëjnë maksimumin për të ndihmuar artistët në këtë periudhë mbylljeje totale. Spotify ka akorduar një fond prej 10 milionë dollarësh për nismën “Të ndihmojmë muzikantët britanik”. Apple Music dha 50 milionë dollar për labelët muzikorë të pavarur, dhe për distributorët. Të njëjtin shembull kanë ndjekur dhe shumë kompani të tjera, me forma të ndryshme në ndihmë të artistëve.

Por kjo nuk është mjaftueshëm. “Nëse koronavirusi do të vazhdojë kështu përgjatë gjithë verës, do të ndihem si kur është fshirë e gjithë jeta ime në muzikë. Me zor po e pres dimrin, ndërkohë duhet të analizoj me shumë kujdes se çfarë duhet të bëj. Por me siguri do të kërkoj diçka tjetër për të bërë”, thotë autori i shumë këngëve, Theo Bard.   

Artistët janë të vetëdijshëm se është industria ajo që përcakton ekuilibrat e fuqisë në treg. Shumë prej tyre besojnë se vetëm konsumatorët mund të bëjnë ndryshimin, duke i kthyer gjërat në favor të tyre.