Kërkoi verifikim për Hajdarin e KPA, Kushtetuesja “rrëzon” për së dyti Besnik Canin

Gjykata Kushtetuese refuzon të shqyrtojë ankimin e bërë nga ish-prokurori Besnik Cani kundër anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari.

Ankimi i ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Cani, u bë gjatë kohës që ai po kalonte në filtrat e Shkallës së Dytë të vetingut, në përfundim të të cilit u shkarkua nga detyra.

Cani kërkoi në Kushtetuese verifikimin e zgjedhjes së Hajdarit në KPA, duke pretenduar se ai ishte emëruar në këtë institucion në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Por një kolegj tre anëtarësh i Kushtetueses, i përbërë nga Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferrllari vlerësoi të mos e kalojë në seancë ankimin e Hajdarit.

Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga A2, Kushtetuesja vlerëson se Cani nuk legjitimohet të kërkojë verifikimin e zgjedhjes së një gjyqtari të KPA.

Sipas Kolegjit, teksa ishte në proces e sipër të vetingut, Cani duhet t’i kërkonte tek KPA garancitë ligjore për një proces të rregullt. Përmes një vendimit të mëhershëm Kushtetuesja refuzoi të marrë në shqyrtim kërkesën e Canit për verifikimin e zgjedhjes së anëtarit të pezulluar aktualisht, Luan Daci.

Paralelisht me kërkesën në Kushtetuese për Dacin, Cani depozitoi një kallëzim kundër tij në SPAK, çka u bë shkak për nisjen e një hetimi ndaj tij për “falsifikim të dokumenteve”.