Kukës, liqeni “pushton” rregullisht tokat e mbjella

Fshati Përbreg, në Njësinë Administrative Tërthore në Kukës, vijon të jetë nën kërcënimin e ngritjes së nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës, që edhe këtë vit ka përmbytur tokat bujqësore të rreth 30 familjeve.

Banorët tregojnë se ky fenomen është i përvitshëm dhe nuk është marrë asnjë hap konkret për t’i kompensuar apo për t’i shpërngulur nga kjo zonë e rrezikuar.

Fenomeni ndodh të paktën dy herë në vit, kur niveli i ujit në Liqenin e Fierzës shkon drejt kuotës maksimale. Dhe kjo ka bërë që edhe ky fshat buzë liqenit të shpopullohet.

Ndërkohë, banorë të këtij fshati përballen edhe me mungesën e rrugës, ujit të pijshëm e kanalizimeve të ujrave të zeza.

Mes këtyre vështirësive, banorëve u ka sosur edhe durimi.