PD, Gjata: Dy javë nga shembja e paligjshme e Teatrit, asnjë përgjegjës para drejtësisë. PD dorëzon nesër kallëzimin penal

gjata teatri 1100x620

Sekretari për Çështjet Ligjore i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata, u shpreh se dy javë nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk ka ende asnjë përgjegjës përpara drejtësisë.

“Sot bëhen dy javë nga akti i paprecedentë për shembjen me dhunë të Teatrit Kombëtar, një akt që për nga barbaria dhe forca e dhunës shokoi shqiptarët pa dallime partiake dhe solli reagimet më të ashpra nga institucionet dhe mediat europiane. Për këtë krim nuk ka asnjë përgjegjës përpara drejtësisë, as për dhunën e ushtruar, as për aktin e paligjshëm të shembjes së Teatrit. Të gjithë pamë se si qindra forca  policore, të pajisur me mjete të operacioneve antiterror, me armë të rënda zjarri, dhunuan mbrojtësit paqësorë të teatrit, artistët, aktivistët e shoqërisë civile, qytetarët, përfaqësuesit e opozitës si dhe gazetarët që po raportonin shembjen e paligjshme të veprës së shpallur si trashëgimi e kulturës europiane. Të gjitha këto janë të provuara me filmime, ku duken policët me helmeta të zeza që parakalojnë me automatikë, madje deri dhe brenda sallës së teatrit, duke nxjerrë jashtë artistët dhe qytetarët me forcën e tytave të armëve të zjarrit”, tha Gjata.

“Për këtë akt të paprecedentë dhune nuk ka asnjë veprim nga Prokuroria. Viktimat e drejtpërdrejta të dhunës, përfaqësuesit e Aleancës për Teatrin, kanë depozituar një kallëzim penal dhe SPAK duhet të veprojë pa humbur kohë. Krimi i kryer është parë prej të gjithëve. Mjafton të ketë vullnet për të bërë drejtësi dhe përgjegjësit është e thjeshtë për t’i gjetur. Ata kanë dalë tani me zë dhe me figurë në mbrojtje të dhunës policore, duke nisur me Edi Ramën, me Sandër Lleshajn, me Ardi Veliun, me Erion Veliajn dhe shërbëtorët e tyre në krim. Prokuroria duhet të kishte vepruar për arrestimin e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin me shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj. Duke qenë se Prokuroria nuk ka sy të shohë vetë krimet e Edi Ramës, Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal për krimet e kryera tek Teatri”, shtoi Gjata.

Sipas tij, “vendosja e drejtësisë për Teatrin është një provë e rëndësishme për funksionimin për funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion”.