Vala e protestës amerikane shtrihet edhe në Europë, me mijëra në Londër thyejnë distancimin social

Protestat e nisura nga vrasja e amerikanit George Floyd, një burrë me ngjyrë, i paarmatosur, pas keqtrajtimit nga një efektiv policie, tashmë janë shndërruar në një valë manifestimesh kundër racizmit që po shpërndahet jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europë.

Ishin me mijëra protestuesit sot në manifestimin përballë ambasadës amerikane në Londër, ku slogani dominant ishin fjalët e fundit të viktimës, “I can’ t breathe”, nuk marr dot frymë.

Protestuesit në këtë mënyrë nuk respektuan udhëzimin ende në fuqi në Britani për distancimin social, dhe nga sheshi Trafalgar iu drejtuan selisë diplomatike.

Manifestime të ngjashme ndodhën edhe në qytete të tjera si Mançester, por edhe në Kardif. Ndërkohë, edhe Gjermania dhe Danimarka u përfshinë, me manifestime në Berlin dhe Kopenhagen.

Protestat u zhvilluan pa incidente të mëdha, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të shumta sulmet ndaj policisë dhe institucioneve.