Goditja nga Covid-19, Sejko: Në 2020 ekonomia do të tkurret me 6%

Publikuar më: 1/6/2020, ora 19:54

Goditja nga Covid-19, Sejko: Në 2020 ekonomia do të tkurret me 6%

Publikuar më: 1/6/2020, ora 19:54

Pas ndërkombëtarëve, edhe institucionet zyrtare në Shqipëri japin parashikimet e tyre për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2020.

Sipas Bankës së Shqipërisë, si pasojë e krizës së Covid-19, vendi këtë vit do të pësojë një recesion prej 6%. Për Guvernatorin Gent Sejko, ndikimi negativ do të jetë më i lartë, nëse do të ketë një rimbyllje të ekonomisë si pasojë e një vale të dytë infektimesh.

“Parashikimi ynë si Bankë e Shqipërisë është që viti 2020 do të ketë një recesion prej 6%. Mund të kemi dhe rishikim të shifrave, shpresojmë për më mirë, por gjithsesi ky është parashikimi. Do të kemi një rritje të fortë ekonomike nëse nuk do të kemi një rikthim të pandemisë në vitin 2021”, tha Sejko.

Guvernatori bëri parashikime edhe për sistemin bankar, i cili sipas tij nuk do t’i shpëtojë pasojave të krizës.

“Kjo situatë normale që do të ndikojë fort dhe te performanca e sistemit bankar, si lidhur me ecurinë e kreditimit, ashtu dhe me kreditë me probleme. Zinxhiri i prodhimit është goditur dhe mund të këputet në vende-vende. Bizneset do të kenë vështirësitë e tyre dhe sigurisht që shumë nga këto biznese duhet të bashkëpunojnë me bankat. Por është ende herët për të folur”, shtoi Sejko.

Gjatë raportimit mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë, Sejko dha të dhëna edhe mbi shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive. Deri më tani nga kjo lehtësi kanë përfituar mbi 23 mijë klientë, që zënë gjysmën e portofolit të kredisë në Shqipërisë, ose ndryshe 2 miliardë euro.