Kodi i ri Zgjedhor, tryeza dështoi, tani e kanë radhën ndërkombëtarët?

Nga A2 CNN
1 Qershor 2020, 19:21 | Politikë
Kodi i ri Zgjedhor, tryeza dështoi, tani e kanë radhën

Pas dështimit të një marrëveshje më 31 maj, ndërkombëtarët ndërhynë sërish me negociata, në përpjekje për të ndihmuar mazhorancën dhe opozitën të gjejnë kompromisin per reformën zgjedhore.

Negociatat nisën herët në mëngjes përmes komunikimeve me PD nga Ambasada e SHBA dhe BE. Kur u pa se palët nuk po afroheshin, ambasadorët e SHBA, Yuri Kim, ai i BE, Luigi Soreca dhe britaniku Duncan Norman shkuan vetë në zyrën e kreu të opozitës në një takim prej 60 minutash. Diplomatët nuk pranuan të komentonin diskutimet, por kishin folur më herët përmes reagimeve në rrjetet sociale.

Ambasadorja Kim tha se palët kishin lëvizur drejt një marrëveshje dhe nuk janë larg nga konsensusi. Ajo kërkoi të mos shtohen kushte të reja.

“Të gjitha palët kanë treguar se po lëvizin dhe janë shumë pranë. U vendos një objektiv, u vendos një afat, 31 maji. Është koha të mos këmbëngulni për pozicionet e pazbatueshme dhe/ose të vendosni kushte të reja. Është koha të mbani fjalën që i keni dhënë popullit shqiptar. Koha për të arritur marrëveshje”, shkruhej në reagimin e Yuri Kim.

Ndërsa ambasadori i BE-se, Luigi Soreca, ritheksoi se reforma zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, është kusht për uljen e Shqipërisë në tryezën e negociatave të anëtarësimit në BE.

Britaniku Norman, që negocioi uljen në tryezë të palëve për reformën, tha se është dita për ta vënë popullin e Shqipërisë të parin, duke gjetur dakordësinë e nevojshme.

Nga ana tjetër, edhe vetë kreu i PD u vu në lëvizje duke thirrur në mbledhje ekspertët demokratë për reformën zgjedhore dhe më pas me aleatët e opozitës së bashkuar, ku i njohu mbi çfarë u negociua në tryezë dhe çfarë ndanë palët.

Mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord mbi identifikimin biometrik të zgjedhjeve në gjithë Shqipërinë, përbërjen e komisioneve zgjedhore, ku PD kërkon të ketë 4 vëzhgues politikë dhe formulën e KQZ, ku kryekomisioneri kërkohet të jetë i opozitës, dhe jo të jetë i zgjedhuri i mazhorancës.

Teksa të tëra lëvizjet u fokusuan tek opozita, Kryeministri Edi Rama është shprehur se do të presë edhe një ditë pa folur, pasi sipas tij, mazhoranca e ka bërë të sajën duke respektuar afatin 31 maj!  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos