Zgjerimi i masave të reciprocitetit, Lajçak e Daçiç dënojnë vendimin, Osmani mbron Kurtin

Nuk është taktikë politike, por kundërpërgjigje ndaj barrierave të Serbisë. Më këto fjalë e ka mbrojtur vendimin e tij, për të zgjeruar masat e reciprocitetit ndaj Beogradit, kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas vendimit të ri të Qeverisë në detyrë, asnjë maune nga Serbia nuk mund të hyjë në vend nëse në dokumente nuk është emri “Republika e Kosovës”.

 “Kemi thënë që jemi të interesuar për reciprocitet duke hequr barrierat, por që në qoftë se Serbia i shton ato, ne do t’i përgjigjemi. Është zyra ligjore në Ministrinë e Ekonomisë që ka bërë analizën e kësaj situate, duke vlerësuar që është e nevojshme një masë e tillë, dhe ne e kemi miratuar në mbledhjen e qeverisë”, tha Kurti.  

Vendimi nxiti reagime të shumta në Kosovë, Bruksel dhe Serbi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i mandatuari për formimin e qeverisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e  kundërshtuan vendimin.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se rikthimi në tryezën e negociatave nuk do të ndodhë derisa vendimet të tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, u shpreh i zhgënjyer mbi masat e reja. 

Veprime të tilla të njëanshme sipas tij minojnë dialogun dhe duhet të hiqen menjëherë. Por kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani iu kundërpërgjigj Lajçak, duke i dalë në mbrojtje kryeministrit në detyrë.  Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se të hedhësh poshtë parimin e reciprocitetit do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.