“Kafe dhe kroasant”, francezët i kthehen zakoneve të vjetra pas javësh privim

KR FRANCA RIFITON LIRITE.duplicate frame 1686 1100x620

Franca i kthehet “një jete thuajse normale”, me rihapjen e bareve, kafeneve, restoranteve, plazheve, parqeve dhe monumenteve. Gjithashtu ka rinisur dhe mësimdhënia në shkollat e mesme.

Në zonat më pak të goditura nga pandemia koronavirus, thënë ndryshe në zonat e gjelbra, rihapin dyert edhe teatrot, zonat e kampingut, palestrat, pishinat dhe licetë.

Rifitimi i lirive është pak më i ngadaltë në zonat portokalli, ku bën pjesë dhe Parisi, por kryeqytetasit shprehen të kënaqur që më në fund po i rikthehen gradualisht zakoneve të vjetra.

Tundimit për të shijuar një kafe në të hapur nuk i rezistoi dhe ministri i Financave, Bruno le Maire, i cili paralajmëroi tkurrje të ekonomisë franceze me 11% në 2020.

“Për të gjithë ne, rikthimi në kafene dhe restorante është një moment kënaqësie kolektive. E di që francezët janë tepër të lidhur me kafenetë e restorantet”, u shpreh ministri Le Maire.

Ka pasur edhe raste tepër të veçanta. Një restorant në qytetin e Nantes nuk ka pritur mëngjesin, por është kthyer në aktivitet që në minutën e parë të së martës kur ndodhi dhe lehtësimi i kufizimeve. Rreth 100 klientë “pushtuan” restorantin “Prison de Bouffay” të cilët festuan rifitimin e disa lirive të humbura nga pandemia.

Ndërkohë, nga e marta të gjithë francezët mund të lëvizin pa problem në çdo cep të vendit, pasi është hequr dhe kufizimi i udhëtimeve deri në 100 kilometër nga shtëpia. Gjithashtu autoritetet nisën dhe operimin e aplikacionit “stopcovid” për gjurmimin e të infektuarve me koronavirus.