Qeveria e re në Kosovë, seanca e votimit mbahet të mërkurën

Seanca ku do të votohet qeveria e re drejtuar nga Avdullah Hoti, nga LDK, do të mbahet në 3 qershor. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, pas së cilës shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, u shpreh i bindur se të mërkurën do të votohet qeveria e re, pasi siç thotë, i kanë 65 votat e nevojshme.

 “Ne jemi të sigurt që e kemi thirrur një seancë për nesër në ora 11 dhe në të cilën secili deputet mbi bazën e bindjes së vet do të votojë”, Arben Gashi, kreu i grupit parlamentar të LDK.

Vendimi i kryesisë vjen pasi Lidhja Demokratike e Kosovës, me t’u publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, iu drejtua Kuvendit me kërkesë për seancë.

Pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, LDK-ja ka lidhur koalicion të bashkëqeverisjes më Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar, LDK-ja u rendit e dyta, e në rast të një votimi të suksesshëm në Kuvend, Kosova do të ketë për herë të parë një qeveri ku nuk përfshihet partia fituese.

Më 30 prill, ditën që presidenti Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit. Vetëvendosje pretendonte se presidenti Thaçi kishte bërë shkelje, por Gjykata Kushtetuese e shpalli të ligjshëm dekretin e Thaçit.