Kriza godet tregun e punës, ekspertët: Të shmanget papunësia afatgjatë
Ndikimi i Covid-19 në tregun e punës është më i rëndi në Ballkanin Perëndimor, sipas një raporti të Bankës Botërore, që tregon se papunësia në vend u rrit me 25%.
Eksperti për çështjet e punësimit Erion Muça shprehet se të dhënat e institucionit financiar ndërkombëtar pasqyrojnë situatën reale në vend, veçanërisht nëse merren në konsideratë edhe ata punonjës në të zezë apo të vetëpunësuar të padeklaruar që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë.

Gjykoj se do të jenë mbi 100 mijë deri në tetor, kjo pasi kemi një numër të lartë të punësuarish të mbetur papunë, që kanë punuar në informalitet të plotë, dhe sektorët më të goditur ishin pikërisht ato që kishin më shumë punëtorë të tillë”, thotë Muça.
Por te debati nëse këto do të jenë vende pune të mbyllura përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, eksperti deklaron se gjithçka do të diktohet nga sa shpejt do të normalizohet konsumi dhe se si do të përshtaten industri të caktuara me rënien e porosive nga partnerët e huaj tregtarë.
Edhe pse të cilësuar nga raporti i Bankës Botërore si një nga grupet më të rrezikuara për të humbur punën, sipas ekspertit Muça, të vetëpunësuarit do të kenë edhe mundësinë më të lartë për të rinisur aktivitetin, veçanërisht për grupet më të domosdoshme, si hidraulikët, elektricistët, etj.