Basketbolli shqiptar publikon protokollin për të rifilluar kampionatin

basketboll shqiperi koronavirus 1100x620

Basketbolli shqiptar ka publikuar protokollin për të rinisur kampionatin.

Ky protokoll përmban 3 faza, me fazën e parë që thekson se stërvitja do të bëhet individuale ose në grupe të vogla, me fazën e dytë që do të lejojë stërvitje në grupe më të mëdha dhe faza e tretë që do të lejojë zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë në salla të mbyllura, por të ventiluara.

Protokolli i plotë

Faza e parë

Stërvitjet do të zhvillohen sipas programit për lojtarët dhe trajnerët, në prani të stafit teknik dhe mjekësor të nevojshëm, STËRVITJE INDIVIDUALE DHE GRUPE TË VOGLA

  • Nëse lojtari mund të shfaqë shenja ethesh, apo simtoma të sëmundjeve respiratore, ndërpritet stërvitja dhe lojtari duhet t’i drejtohet mjekut të familjes për trajtim.
  • Lojtarët dhe trajnerët duhet të stërviten individualisht, me bazë materiale stërvitore dhe uniforma personale, si dhe duke shmangur dhomat e zhveshjes.
  • Gjatë ditëve të para duhet të respektohet distanca sociale 1.5 deri 2 m.
  • Për stërvitje me kontakt, ku është e mundur të ruhet distanca fizike ndërmjet lojtarëve,  trajnerit dhe lojtarëve.
  • Në ditët e para stërvitjet në salla të mbyllura duhet të zhvillohen me jo me shumë se 8 lojtarë. Ky numër vjen duke u rritur gradualisht në vartësi të ecurisë.
  • Rekomandohet që i njëjti trajner dhe të njëjtët lojtarë të stërviten së bashku dhe të mos ketë përzierje.
  • Çdo lojtar duhet të ketë shishen e tij plastike personale, të ujit apo lëngjeve të konsumit, të vendosura në vende të veçanta dhe larg njëra – tjetrës ose në çantat e secilit.
  • Çdo mbetje apo mbeturinë që krijohet gjatë stërvitjes duhet të mbështillet me qese të sigurta dhe të hidhet në koshin e mbeturinave, I cili duhet të jetë me doemos i mbyllur.
  • Pas çdo seance stërvitore, ambientet e mbyllura duhet të dezinfektohen (të gjitha ambientet dhe pajisjet, dhomat e zhveshjes, dushet dhe tualetet).

Faza e dytë

Duke respektuar procedurat e fazes së parë dhe në varësi të ecurisë, rritja e numrit të lojtarëve në stërvitje, deri në 12 lojtarë GRUPE TË VOGLA

  • Lejohet aktiviteti në grupe të vogla dhe me kontakte të lehta.
  • Lejohen lojrat e shkurta stërvitore dhe me grupe të vogla.

Faza e tretë

Në varësi të ecurisë organizimi i lojërave stërvitore STËRVITJE NË GRUP DHE LOJËRA NE SALLA TË MBYLLURA, POR TË VENTILUARA

  • Organizimi i turneve dhe aktiviteteve, por pa pjesëmarrjen e spektatorëve.
  • Dezinfektimi i përditshëm i ambienteve ku zhvillohen stërvitjet dhe ndeshjet.
  • Dezinfektimi i përditshëm i dhomave të zhveshjes dhe dusheve.
  • Eliminimi i pluhurave të ndryshme në ambientet e sallave stërvitore
  • Testimi i lojtarëve dhe trajnerëve, stafit drejtues (nëse është e mundur)
  • Matja e temperaturës të çdo personi që futet ne sallë
  • qoftë ekipe, qoftë spektatore
  • Monitorimi i sallës dhe përgatitje e ambienteve te posaçme mjekësore për suport mjekësor.